KDI: Projektligji për Byronë kërkon trajtim të kujdesshëm dhe adresim të çështjeve kyçe

Konferenca për media 08.04.2026

KDI: Projektligji për Byronë kërkon trajtim të kujdesshëm dhe adresim të çështjeve kyçe të ngritura nga Kushtetuesja dhe Komisioni i Venecias

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka mbajtur sot një konferencë për media, ku ka paraqitur qëndrimet e tij lidhur me versionin aktual të Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i cili është proceduar për shqyrtim në Kuvend.

Gjatë konferencës, KDI theksoi se forcimi i mekanizmave për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme është një hap i domosdoshëm në luftën kundër korrupsionit. Megjithatë, një reformë e tillë duhet të ndërtohet mbi parime të qarta kushtetuese, siguri juridike dhe respektim të të drejtave themelore, në mënyrë që të jetë e zbatueshme dhe e qëndrueshme në praktikë.

Ndonëse KDI e përkrah parimisht idenë e konfiskimit civil dhe vetë Byronë si mekanizëm, vlerëson se versioni aktual i projektligjit nuk i adreson në mënyrë të plotë gjetjet e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese (KO46/23) dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias, duke lënë hapësirë për paqartësi dhe rrezik për cenim të të drejtave kushtetuese.

Në veçanti, KDI ngriti shqetësime për dy çështje thelbësore. Së pari, lidhur me vlefshmërinë kohore të verifikimit të pasurisë, ku përcaktimi i periudhës që nga viti 2008 krijon pasiguri juridike dhe bie ndesh me standardet e vendosura nga Gjykata Kushtetuese, e cila ka theksuar nevojën për një kufizim të arsyeshëm kohor. Së dyti, lidhur me kompetencat për nxjerrjen e legjislacionit sekondar, pasi projektligji i jep Byrosë diskrecion të gjerë për të rregulluar procedura që prekin drejtpërdrejt të drejtat pronësore, çështje këto që duhet të jenë të përcaktuara qartë në vetë ligjin.

Po ashtu, KDI theksoi mungesën e një procesi të mirëfilltë dhe gjithëpërfshirës të konsultimit publik për këtë version të projektligjit, duke vënë në pikëpyetje transparencën dhe legjitimitetin e reformës.

Në këtë kontekst, KDI i ka dërguar një letër të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës me qëndrimet dhe rekomandimet për përmirësimin e projektligjit, si dhe së shpejti do të përgatisë dhe publikojë një hulumtim parlamentar për këtë çështje.

KDI i bën thirrje Kuvendit që shqyrtimi i këtij projektligji të shoqërohet me debat të hapur, gjithëpërfshirës dhe të bazuar në standarde kushtetuese dhe evropiane, në mënyrë që të shmangen zgjidhje që mund të rezultojnë të paqëndrueshme apo të kontestueshme në praktikë.