Javën e kaluar, KDI ka organizuar një vizitë gjithëditore nëpër disa lokalitete në Lipjan dhe Mitrovicë me përfaqësues të shoqërisë civile dhe studentë. Qëllimi i organizimit të këtij aktiviteti ishte që të vizitohen projekte që janë mbështetur financiarisht nga BE-ja në komunat e Kosovës e që kanë ndihmuar drejtpërdrejt në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve. Kjo vizitë ka shërbyer si një mundësi e mirë për pjesëmarrësit që të marrin një pasqyrë të investimeve lokale të BE-së dhe përdorimin e fondeve publike por edhe si një forum për t’u takuar me përfaqësuesit dhe vendimmarrësit nga komunat përkatëse.
Me një grup prej 25 pjesëmarrësish vizituam fillimisht Bibliotekën dhe Arkivën në komunën e Lipjanit ku u pritën nga udhëheqësi i Qendrës Kulturore z.Selman Jashanica dhe udhëheqësi i sektorit për Arkiva z.Enver Haziri. Të dy përfaqësuesit e komunës prezantuan para pjesëmarrësve këto dy projekte që janë financuar nga institucionet BE-së, procesin e ndërtimit, kushtet që ofrojnë këto objekte dhe përfitimet që ka pasur komuna dhe qytetarët e Lipjanit nga ndërtimi i tyre. Ndërkaq, pjesëmarrësit kërkuan të dinë më shumë rreth interesimit të nxënësve dhe studentëve për të shfrytëzuar shërbimet që i ofron biblioteka e re dhe kapacitetet që ajo ka për të plotësuar kërkesat, për çka morën përgjigje nga përfaqësuesit në fjalë.
Një vizitë e së njëjtës natyrë u zhvillua edhe në komunën e Mitrovicës gjegjësisht në katër lokacione të ndryshme, projekte të ndërtuara me përkrahje financiare nga BE-ja meqë rast u pritëm nga udhëheqësi i departamentit të Infrastrukturës z.Fisnik Ibrahimi dhe ai i departamentit të Urbanizmit z.Florent Abrashi nga Komuna e Mitrovicës. Projektet si Ura e Ibrit, shëtitorja e lumit Ibër dhe sheshi i qytetit u prezantuan nga përfaqësuesit në fjalë të cilët ndër të tjera dhanë edhe sqarime për pjesëmarrësit për koston, historikun dhe përfitimet nga këto investime.
Ndërkaq në N.P. Qendra Multifunksionale Omni Sport, që ishte edhe projektit i katërt që u vizitua, Kryeshefi ekzekutiv i N.P Qendra Multifunksional Omni Sport, z.Sami Zeka informoj pjesëmarrësit me shërbimet që i ofron kjo qendër për qytetarët sidomos nxënësve për zhvillimin e kurseve për shumë lloje të sporteve. Ndër të tjera, ai tregoj për interesimin e madh të qytetarëve nga të gjitha komunat e Kosovës për të shfrytëzuar hapësirat dhe shërbimet që i ofron kjo qendër, si një nga qendrat më të mëdha në Kosovë të këtij lloji. Ai po ashtu përmendi edhe sfidat me të cilat përballen si ndërmarrje, që është kostoja financiare që nevojitet për mirëmbajtjen dhe funksionimin e duhur të saj.
Ky aktivitet është realizuar në kuadër të projektit “Promovimi i vlerave të përbashkëta Evropiane” që financohet nga programi ‘Evropa për Qytetarët’, dhe implementohet nga KDI së bashku me tri organizata partnere, dy degë të Transparency International në Hungari, Maqedoni dhe organizata Forumi i Ekspertëve nga Rumania.