Drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu dhe Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot, me mbështetjen e Ambasadës së Zvicrës në Kosovë, nënshkruan memorandumin e mirëkuptimit lidhur me fuqizimin e mbikëqyrjes së Kuvendit ndaj e Qeverisë dhe rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Kryetari Veseli tha se bashkëpunimi me shoqërinë civile, mediat dhe publikun në përgjithësi, si dhe transparenca e llogaridhënia, janë jetike për punën e Kuvendit të Kosovës. Duke ofruar bashkëpunim të plotë me mediat dhe shoqërinë civile, kryetari Veseli inkurajoi ato që të rrisin prezencën e tyre në Kuvend dhe të shtojnë monitorimin e punës që bëjnë përfaqësuesit e zgjedhur të qytetarëve, duke u mundësuar atyre që të jenë në dijeni të çdo zhvillimi dhe vendimmarrjeje që bëhet në Kuvendin e Kosovës.
Drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu, ndërkaq, theksoi se qëllimi i organizatës që ai drejton është bashkëpunimi me Kuvendin e Kosovës, për të fuqizuar mbikëqyrjen parlamentare ndaj ekzekutivit, ngritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve dhe rritjen e komunikimit publik rreth çështjeve të ndjeshme dhe me interes për vendin, siç është dialogu Kosovë-Serbi.