Tani kur ka mbetur vetëm një javë deri në përfundimin e kontratës për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit “Arbën Xhaferi”, KDI përmes një konference për media ka prezantuar sot një analizë që shpërfaqë rrugëtimin e penalltisë 53 milionëshe në tri qeverisjet e fundit të vendit.
Analiza bazohet në dokumentet të cilat i janë dhënë KDI-së nga Ministria e Infrastrukturës. Nga 11 Qershori, 2018 kur edhe janë adresuar kërkesat për qasje në dokumente publike, KDI-së i është dhënë qasje e pjesshme në dokumente, sidomos në ato që arsyetojnë borxhin 53 milionësh ndaj kompanisë Bechtel Enka.
Kronologjia e veprimeve të tre qeverive të implikuara në lidhjen dhe zbatimin e kësaj kontrate nga 2014-2018 tregon për veprime joligjore dhe neglizhencë kronike të kushteve.
Me këtë rast, Diana Metushi Krasniqi nga KDI, theksoi se ministri Mujota kishte nënshkruar kontratën në “ikje” duke hyrë në detyrime kontraktuale me Bechtel Enka-n pa kërkesa të qarta të Qeverisë, dhe pa plan të pagesave konform kapaciteteve buxhetore të Qeverisë. “Ministri Zharku nuk kishte ndërmarr hapa konkret për adresimin e kufizimeve buxhetore dhe ndryshimet e nevojshme kontraktuale. Për më tutje, sipas kontratës në fjalë, borxhi i referuar nga Bechtel&Enka është i bazuar në një parashikim jo të detyrueshëm të pagesave, të dorëzuar nga kontraktori”, shpjegoi ajo.
Metushi Krasniqi potencoi se në shtator 2016, Ministria e Infrastrukturës kishte përgatitur një draft aneks kontratë, të cilën nuk e kishte implementuar kurrë, ku parashihet inkorporimi i dokumenteve të munguara dhe kostoja e shtyrjes së afatit për 347 ditë në vlerën prej 14.78 milionëve (me TVSH), apo rreth 1 Milion Euro në muaj (Pa TVSH). “Në Memorandum shpjegues për kërkesën e kontraktorit ‘Bechtel & Enka’ për kompensim të shpenzimeve indirekte për shkak të zgjatjes së afatit të kontratës për ndërtimin e autostradës R6 Prishtinë – Hani i Elezit” të datës 20.04.2018, që i drejtohet zyrës së Kryeministrit nga
Ministri Pal Lekaj, i publikuar nga Kallxo.com, thuhet se si rrjedhojë e negociatave, Kontraktori ka hequr dorë nga kërkesa për shpërblim të dëmit. Nëse sipas dokumentit në fjalë kontraktori ka hequr dorë nga kërkesa për shpërblim të dëmit, atëherë, KDI kërkon nga Qeveria të shpjegoj si erdhi deri te rritja e çmimit të zgjatjes së kontratës nga 1 milion EURO në ditë në 4 milion në ditë!”, ka plotësuar më tej.
Ajo, gjithashtu shtoi se sipas kontratës, si pasojë të dëmit nga vonesat, qeveria do t’i paguaj kontraktorit koston e vonesës, dhe një fitim prej 5% të kësaj vlere. Ministria e Infrastrukturës nuk ka dhënë qasje në vlerësimin e kostos, e cila është vlerësuar të jetë 45 milion euro.” Kontrata përmban edhe një klauzolë e cila parasheh dëmin e vonesave në vlerë prej 40,000 Euro, e që nëse zbërthehet në 53 milion, e që do të thoshte se kjo kontratë ka pasur vonesa përafërsisht 3.6 vite ose 1,325 ditë”, plotësoi ajo.
Me gjithë vëmendjen që kjo kontratë ka pasur gjatë vitit 2017 – 2018, sipas Metushi Krasniqit qeveria nuk ka arritur të adresoj kufizimet buxhetore për kontratën e cila pritet të përfundoj me 31 dhjetor 2018, duke buxhetuar shumën prej 51.5 milion euro për vitin 2018. Gjithashtu, 70.05 milion euro për mbulimin e obligimeve për ndërtimin e autostradës janë të hyra nga Agjencioni Kosovar i Privatizimit.
Si përfundim, ka thënë se KDI kërkon që prokuroria të filloj sa më shpejtë hetimet lidhur me këtë neglizhencë, të qëllimshme, të qeverive në fjalë, dhe rreth asaj se si një propozim i padetyrueshëm bëhet bazë e një penalltie prej 53 milionëve.
Kurse Zyra Kombëtare e Auditimit të auditoj sa më shpejtë anën komerciale të penalltisë prej 53 milionëve.