KDI mban diskutime mbi Ligjin për Lobim dhe financat politike në kuadër të konferencës “Rinia për integritet politik”

Tryeza 10.12.2024

KDI mban diskutime mbi Ligjin për Lobim dhe financat politike në kuadër të konferencës “Rinia për integritet politik”

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në shënim të 9 dhjetori – Ditës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, sot mbajti ditën e dytë të konferencës “Rinia për integritet politik”. Gjatë kësaj dite u zhvilluan dy panele të rëndësishme me temat “Ku mbeti Ligji për Lobim” dhe “Financat politike dhe trendet e fushatave online në Kosovë.”

Në panelin e parë – përfaqësues nga subjektet politike, diskutuan rreth nevojës për Ligjin për Lobim, vullnetin e subjekteve politike për një ligj të tillë, si dhe transparencën në financimin e partive politike. Menaxheri i projektit në KDI, Plator Avdiu, ka potencuar rëndësinë e një ligji të tillë dhe elementet që do të duhej përfshirë në mënyrë që të rritet transparenca e financimit të partive politike. Ndërkohë, Diana Metushi Krasniqi nga KDI shtjelloi analizën për nevojën e Ligjit për Lobim si një mekanizëm kyç për të forcuar integritetin institucional.

Ndërsa përfaqësuesit e partive parlamentare paraqiten vizionin e tyre rreth një ligji për lobimin duke premtuar përkushtimin e tyre për hartimin e tij. Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës- Blerta Deliu Kodra ka folur rreth mundësisë për të pasur një ligj gjatë legjislaturës së ardhshme. “Sa i përket objektivave të PDK-së, e kuptojmë prioritetin e kësaj cështje. Nuk e di saktësisht nëse është pjesë e planit të PDK-së”, ka thënë ajo duke shtuar se kjo edhe varet prej perspektivës së partisë që merr shumicën në Parlament.

Tutje , deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës – Driton Selmanaj ka theksuar se partia e tij do të angazhohet që kjo çështje të rregullohet me modalitete që mund të marrin si shembuj nga BE dhe SHBA duke shtuar se “Nuk është prioritet i joni, por do të angazhohemi që nëse jemi pjesë e shumicës parlamentare, të angazhohemi që ta gjejmë një modalitet që i përshtatet Kosovës”.

Edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës – Besnik Tahiri ka folur për rëndësinë e plotësimit të legjislacionit që rrit transparencën e financimit të partive politike. Ai konfirmoi se Ligji për Lobim nuk është aktualisht prioritet për Grupin Parlamentar të AAK-së dhe nuk është diskutuar deri tani, por shtoi se do të angazhohen për ta përfshirë në agjendën legjislative në të ardhmen.

 

Kërkohet më shumë transparencë dhe llogaridhënie në financat e partive politike

Në panelin e dytë, ku është diskutuar për financat politike dhe trendet e fushatave online në Kosovë, u verësua se nevojiten kontrolle më rigoroze të financimit dhe shpenzimit të subjekteve politike. Eugen Cakolli, menaxher i programit në KDI, prezantoi gjetjet e punimit “Kuletat e partive kryesore politike në Kosovë 3.0”, që si raport, analizon raportet vjetore financiare të subjekteve politike dhe ofrohen rekomandime, në prag të fushatës zyrtare për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.

Në këtë panel morën pjesë përfaqësues të institucioneve publike, organizatave jo-qeveritare vendore e ndërkombatare, si dhe kompani të specializuara në fushata dixhitale.

Besnik Buzhala, Drejtor i Zyrës për Kontroll Financiar, ka folur për punën dhe performancën e këtij institucioni sa i përket financimit të partive politike gjatë vitit që po lëmë pas. “Në bazë të auditimit të raporteve të partive politike për vitin e kaluar, 5 subjekte politike kanë rezultuar me opinion të pakualifikuar dhe 15 të kualifikuar”, ka thënë Buzhala ndërkohë ka folur edhe për gjobat që janë shqiptuar nga Zyra në rastet e shkeljeve.

Ndërsa sa i përket rolit të shoqërisë civile në ngritjen e transparencës së financave politike ka folur drejtoresha ekzekutive e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli – Nimani. “Pres që në këto zgejdhje të kemi më shumë transparencë edhe nga ana e mediave. Uroj që Komisioni i Pavarur për Media të ketë rol më të rëndësishëm dhe proaktiv”, ka deklaruar ajo.

Koncentrimi i fushatave të partive politike dhe kandidatëve të tyre edhe në sferën dixhitale, ka ngritur nevojën për më shumë transparencë dhe monitorim të tyre, sidomos në rrjetet sociale. Për këtë ka folur Valon Canhasi nga kompania Hallakate, i cili ka vlerësuar se rrjetet sociale kanë rëndësi të madhe në fushatat zgjedhore. “Monitorimi dhe evidentimi duhet të jetë pak më rigoroz, sidomos nga shoqëria civile”, ka thënë ai duke folur për trendet dhe pritshmëritë nga fushatat e ardhshme në Kosovë.

Nga ana tjetër, Jon Vrushi ka prezantuar punën e Transparency International në raport me përgatitjen e standardeve globale për financimin politik. Duke paraqitur pjesë të këtyre standardeve, Vrushi ka potencuar nevojën që të ketë më shumë transparencë në raport me donacionet dhe shpenzimet e partive politike gjatë fushatave parazgjedhore.

Konferenca e sotme e KDI-së përmbyll aktivitetet e organizuara me rastin e 9 dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare Kundër Korrupsion.