KDI lanson projektin e përbashkët me Transparency International nga Hungaria, Maqedonia dhe Asociacioni i Forumit të Ekspertëve nga Romania për promovimin e vlerave të përbashkëta evropiane

Tryeza 23.09.2020

KDI, sot zyrtarisht lansoi projektin “Promovimi i vlerave të përbashkëta evropiane” të mbështetur nga Programi i Komisionit Evropian ‘Evropa për Qytetarët’. Ndonëse ishte paraparë që të zhvillohej si aktivitet publik me prezencë fizike të pjesëmarrësve, lansimi i këtij projekti u bë në format online për shkak të situatës me pandeminë Covid -19. Qëllimi kryesor i projektit është të promovojë vlerat evropiane si sundimi i ligjit, demokracia, transparenca, liria e shtypit, barazia dhe solidariteti. Projekti poashtu synon të nxisë pjesëmarrjen aktive të qytetarëve veçanarisht të rinjëve, zgjerimin e njohurive të qytetarëve për të drejtat dhe përgjegjësitë që vijnë me anëtarësimin në BE dhe diskutimin për të ardhmen e Evropës, gjegjësisht euroskepticizimin.

Në diskutimin online me të rinjtë, profesoresha e Integrimeve Evropiane në Universitetin e Prishtinës, Jehona Lushaku – Sadriu, dhe ligjeruesi në fakultetin jurdik Artan Murati folën për pozicionin e Kosovës në raport me procesin integrues në BE, ku ndër të tjera theksuan rëndësinë që ka ndërmarrja e reformave për procesin integrues të Kosovës dhe nevojën për një qasje më serioze të institucioneve të Kosovës karshi këtij procesi. Duke folur për vlerat e përbashkët evropiane, në aspektin të kritereve politike, u përmend nevoja për funksionalizmin e parimeve të demokracisë brenda institucioneve dhe partive politike, ndërkaq në aspektin ekonomik u tha se ka nevojë për ndërtim të raporteve të Kosovës me të gjitha iniciativat evropiane për të dhënë rezultat reformat ekonomike dhe për të përfituar nga fondet e BE-së.

Pjesëmarrësit e pranishëm nga shoqëria civile e studentë në anën tjetër shprehën mendimet e tyre mbi atë se ku qëndron Kosova në raport me përqafimin e vlerave evropiane, dhe për qasjen jo të barabart të BE-së ndaj Kosovës me procesin e liberalizimit të vizave.