Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka lansuar sot platformën inovative të të dhënave të hapura Integrity Watch Kosova – një mjet digjital që synon të fuqizojë qytetarët, mediat dhe organizatat për të mbikëqyrur më lehtë integritetin në funksionet publike.
Platforma, e para e këtij lloji në Kosovë, mbledh, thjeshton dhe vizuelizon të dhëna kyçe për financimin politik, prokurimin publik dhe deklarimet e pasurisë së zyrtarëve publikë, tre fusha të cenueshme ndaj korrupsionit në Kosovë.
Në hapje të ngjarjes, z. Ismet Kryeziu, drejtor ekzekutiv i KDI-së, tha se lufta kundër korrupsionit nuk njeh kufij dhe kërkon veprim të koordinuar midis shoqërisë civile, mediave, institucioneve dhe qytetarëve. Ai theksoi se me lansimin e kësaj platforme sot, KDI dhe katër degë të Transparency International në Ballkanin Perëndimor po i bashkohen familjes së madhe të degëve të Transparency International në 15 shtetet e Bashkimit Evropian për të kërkuar më shumë llogari dhe integritet nga zyrtarët dhe institucionet publike.
Në emër të Bashkimit Evropian, z. Nicola Scaramuzzo, udhëheqës i ekipit për Sundimin e Ligjit dhe të Drejtat e Njeriut theksoi se platforma Integrity Watch do t’i shërbejë Kosovës duke ofruar informata sistematike për forcimin e ligjit në vend me të dhëna aktuale dhe të besueshme për të fuqizuar mbikëqyrjen e institucioneve publike dhe kulturën e integritetit. Z. Scaramuzzo, po ashtu, konstatoi se luftimi i korrupsionit qëndron në themel të parimeve të BE-së në interes të qytetarëve dhe shoqërisë. Për më tepër, sipas tij, korrupsioni politik mund të sjell deri tek veprime paligjshme si lobimi apo dyert rrotulluese për biznese dhe grupe të ndryshme interesi për të shtyrë ligje në favorin e tyre kur mungon luftimi i korrupsionit dhe ka besim të ulët të qytetarëve tek institucionet publike.
Ndërkohë, z. Yll Buleshkaj, drejtor i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, vlerësoi rolin e teknologjisë në avancimin e transparencës dhe integritetit institucional, duke theksuar se projekti për platformën Integrity Watch në Kosovë është shembull i mirë i përkrahjes ndërkombëtare për shoqërinë civile në Kosovë për të krijuar produkte që ndihmojnë të gjithë për të kontribuar në parandalimin e korrupsionit dhe rritjen e transparencës. “Platforma përmes tri seksioneve tregon për shpenzimin e parasë publike dhe si ndikon në vendimmarrje për politika publike”, theksoi z. Buleshkaj.
Prezantimin e platformës e bëri znj. Diana Metushi-Krasniqi, hulumtuese e lartë në KDI, e cila demonstroi funksionalitetin dhe ndërveprueshmërinë e të dhënave publike të deklarimit të pasurisë, prokurimit publik dhe financimit të subjekteve politike. Ajo potencoi që “përmes integrimit të flamujve të kuq, platforma sinjalizon automatikisht rreziqet e korrupsionit, përfshirë rastet e konfliktit të interesit. Kështu “Integrity Watch Kosova” i përkthen të dhënat publike në informacion e të dobishme që nxisin kërkesën publike për transparencë dhe llogarudhënie.
Më specifikisht, platforma u mundëson qytetarëve, gazetarëve, studiuesve, organeve të sundimit të ligjit dhe vendimmarrësve të shohin:
Platforma është zhvilluar nga KDI në kuadër të zbatimit të projektit rajonal “Integrity Watch në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi”, i financuar nga Bashkimi Evropian. Të dhënat në platformë janë të gjitha të dhëna publike, të marra direkt nga uebfaqet e institucioneve dhe përmes kërkesave për qasje në të dhëna publike apo API.
Për më shumë vizitoni:
www.IntegrityWatchKosova.org