KDI: Kosova vazhdon përmirësimin në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit (CPI2022)

Konferenca për media 31.01.2023

 

 

KDI: Kosova vazhdon përmirësimin në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit (CPI2022)

 

Transparency International publikoi sot Indeksin e Përceptimit të Korrupsionit për vitin 2022. Ky indeks publikohet në baza vjetore, për 180 shtete të botës, duke përdorur një metodologji vlerësuese e cila është e bazuar në burime kredibile të institucioneve ndërkombëtare. Vlerësimi fillon nga zero deri në 100 pikë – ku zero është niveli më i lartë i korrupsionit dhe 100 pikë do të thotë shoqëri pa korrupsion. Rezultatet e CPI për vitin 2022 tregojnë që shumica e shteteve kanë pasur pak apo fare progres në luftimin e korrupsionit, duke bërë që më shumë se 2/3 e shteteve të botës të kenë probleme serioze me korrupsionin dhe të jenë të nën vlerën mesatare prej 50 pikëve.

Për vitin 2022, Kosova është vlerësuar me 41 pikë, duke u ranguar në vendin e 84 në ranglistën botërore prej 180 shtetesh. Ky rezultat reflekton një trend të vazhdueshëm dhe inkurajues të përmirësimit të Kosovës krahasuar me vitet e kaluara. Krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova renditet në vendin e dytë, pas Malit të Zi (45), ndërsa lë pas Maqedoninë e Veriut (40), Shqipërinë dhe Serbinë (36), si dhe Bosnje dhe Hercegovinën (34). Sidoqoftë, Kosova mbetet larg mesatares botërore prej 50 pikësh, ndërsa shumë larg mesatares së BE-së prej 66 pikësh.

Progresi i  atribuohet  përmirësimit të kornizës ligjore për financimin e partive politike, si dhe pakos së ligjeve për reformimin e sistemit të drejtësisë. Sidoqoftë, përfshirja e akterëve relevant në kuadër të këtyre reformave vlerësohet si e mangët, shpesh e përcjellë me bojkote. Puna e institucioneve, me theks te ekzekutivit shpesh është përcjellë me rënie të nivelit të transparencës.

Mungesa e skandaleve,   sidomos atyre të mëdha të korrupsionit është ndërlidhur me nivelin shumë të ulët të shpenzimeve dhe investimeve kapitale – që si faktor ka reduktuar potencialin për raste të korrupsionit. Sidoqoftë, kjo nuk duhet parë asesi si strategji që duhet ndjekur në luftimin e korrupsionit nga ana e ekzekutivit.

Në raport me sektorin e drejtësisë, kanë qenë evidente rastet kur ekzekutivi ka ndërhyrë në punën dhe pavarësinë e gjyqësorit, sidomos me vendimin për uljen e pagave dhe deklarimeve publike mbi disa raste gjyqësore. Po ashtu, shkurtimi i buxhetit për institucionet e përfshira në parandalimin e korrupsionit, si Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, bie ndesh me prioritetet e ekzekutivit në luftën kundër korrupsionit.

Përkundër inicimit të rasteve “Brezovica” dhe “Subvencionet” nga institucionet e drejtësisë, mosefikasiteti i gjyqësorit vazhdon të manifestohet me politikë të ulët ndëshkimore dhe prolongim të trajtimit të rasteve të mëdha të korrupsionit – duke përfshirë rastet e njohura si “Hidrocentralet”, “Toka”, “Veteranët”, “Stenta” apo “53 milionëshi”.

Për më tepër, edhe gjatë vitit të kaluar, ka vazhduar fenomeni i politizimit të bordeve, përmes praktikave të emërimit të anëtarëve nga radhët e partisë në pushtet. Në disa prej ndërmarrjeve kryesore publike në vend, në të cilat ka pasur ndryshim menaxhmenti, të emëruarit janë persona të afërt, ish-zyrtarë politikë apo persona të lidhur me partinë në pushtet.

Me qëllim të luftimit sa më efektiv të korrupsionit, veçanërisht të nivelit të lartë, Qeveria duhet të garantojë një reformë në drejtësi në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe me koordinim sa më të mirë me të gjithë akterët relevantë. Në këtë drejtim, Qeveria duhet të përmbahet nga çfarëdo ndërhyrje në sistemin e drejtësisë, për të garantuar kontroll dhe balancë mes pushteteve. Qeveria nuk duhet të hezitojë në shpenzimin e parasë publike nga frika e rasteve të korrupsionit. Përkundrazi, në këtë periudhë me nivele rekord të inflacionit, do të duhej që të ketë sa më shumë investime publike dhe kapitale, për të përmbushur prioritetet dhe nevojat e qytetarëve, gjithnjë duke u siguruar që prokurimet publike zhvillohen në transparencë dhe llogaridhënie të plotë.

 

***

Llojet e korrupsionit në sektorin publik, të cilat përfshihen në kuadër të CPI, janë ryshfeti, keqpërdorimi i fondeve publike, ndjekja efektive e rasteve të korrupsionit, kornizat adekuate ligjore, qasja në informacione, mbrojtja ligjore e sinjalizuesve, gazetarëve dhe hulumtuesve.