Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) e vlerëson si tejet të ulët dinamikën e punës së Kuvendit dhe në shpërputhje me përgjegjësitë që ka ky institucion për të trajtuar ligjet, mbikëqyrë punën e ekzekutivit dhe agjencive të pavarura si dhe për të përfaqësuar qytetarët e saj.
Bojkotimi i punimeve të Kuvendit nga subjektet politike opozitare dhe papërgjegjshmëria e disa prej deputetëve të koalicionit qeverisës, përveç që ka zbehur debatin parlamentar në përgjithësi, po ndikon negativisht edhe në vetë funksionimin e Kuvendit. Intensiteti i mbajtjes së seancave plenare është zvogëluar dukshëm. Sa për krahasim, në muajin maj të vitit të kaluar janë mbajtur 10 seanca, kurse në maj të këtij viti, deri më tani, janë mbajtur vetëm 2 seanca.
Përkundër faktit që koalicioni qeverisës në Kuvend ka mbi 80 deputetë apo 2/3-at, mungesa e kuorumit të nevojshëm prej 61 deputetëve ka qenë shkak i mos mbajtjes së disa prej seancave plenare. Mungesë të kuorumit kishte edhe në seancën e djeshme. Seanca kishte filluar punimet me praninë e vetëm 53 deputetëve, pa pasur kuorum për të marrë vendime, dhe po për shkak të mungesës së kuorumit ishte ndërprerë kur në sallë kishin mbetur vetëm 56 deputetë. KDI vëren se në votimet e pikave të ndryshme të rendit të ditës kanë marrë pjesë 75 deputetë, çka nënkupton se 19 deputetë nuk kanë qëndruar deri në fund të seancës. Nga krahasimi pjesëmarrjes së deputetëve në votimet paraprake me prezencën e fundit në sallë (ora 14:03), deputetët që nuk kanë qëndruar deri në fund të seancës të datës 18.05.2016 janë:
PDK | LDK | Pa Grup | LS | 6+ |
Kadri Veseli | Naser Osmani | Blerim Shala | Bojan Mitic | Duda Balje |
Enver Hoxhaj | Shpejtim Bulliqi | Margarita Kadriu-Ukelli | Slavko Simic | Danush Ademi |
Bekim Haxhiu | Salih Morina | Shaip Muja | ||
Xhavit Haliti | Alma Lama | |||
Nuredin Lushtaku | Besa Gaxherri | |||
Besim Beqaj | ||||
Nait Hasani |
Ndërsa 44 deputetë të tjerë nuk janë paraqitur fare në seancë (përfshirë ata të opozitës dhe përjashtuar një deputetë nga PDK që nuk është zëvendësuar ende).
Vështirësia për të siguruar kuorumin po i përcjellë edhe komisionet parlamentare, ku vetëm në sesionin pranverorë kanë dështuar të mbahen 13 mbledhje. Dukuria që më së shpeshti po ndodh është që komisionet fillojnë takimet pa pasur kuorum, shqyrtohen pikat e rendit të ditës, pastaj përmes thirrjeve telefonike deputetët lëvizin nga një komision në tjetrin sa për të votuar raportet shumë prej të cilave pa i shqyrtuar.
Shqyrtimi sipërfaqësor i raporteve të performancës dhe atyre financiare të institucioneve që i japin llogari vetëm Kuvendit, prodhon dëme të pariparueshme. Nëse keqmenaxhim apo keqpërdorimi i buxhetit të këtyre institucioneve nuk trajtohet me seriozitet dhe në kohë të duhur, rrezikon përsëritjen edhe në vitet pasuese.
KDI kërkon nga deputetët e Kuvendit dhe grupet parlamentare që mandatin e marrë ta ushtrojnë me përgjegjshmëri. Të zgjedhurit të marrin pjesë në seanca dhe të zhvillojnë debat konstruktiv, të ushtrojnë mbikëqyrje efektive ndaj institucioneve shtetërore dhe të përfaqësojnë interesat e qytetarëve.