KDI kërkon përgjegjësi nga institucionet lidhur me aksionet kundër-korrupsion

01.01.2011

Prishtinë, 05 maj 2010 – Misioni i EULEX-it ditë më parë mori një aksion, duke bastisur Ministrinë e Transportit dhe Post-telekomunikacionit, si dhe pronat e ministrit Fatmir Limaj, për hetime rreth dyshimeve për korrupsion. Për Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), zhvillimi i ngjarjeve të cilat bëhen, kanë për qëllim luftën kundër korrupsionit dhe shkojnë në funksion të shtetit ligjor, ku pamundësohet të qenit mbi ligjin, këto janë zhvillime në përputhje me të priturat qytetare për të pasur një shtet funksional me një qeverisje transparente dhe llogaridhënëse.
Në një konferencë për media KDI ka shprehur shqetësimin e vet lidhur me mungesën e informacioneve nga përgjegjësit institucional lidhur me ngjarjet e fundit. Ismet Kryeziu, drejtor ekzekutiv i KDI-së, ka thënë se në dy tre vitet e fundit është bërë normale të shohim fotografi jo të mira për shoqërinë dhe shtetin e Kosovës, të cilat pasojnë me mbyllje të informacioneve dhe për pasoj publiku mbetet i painformuar për rezultatet e këtyre zhvillimeve.
?Zhvillimet të cilat vlen të përmenden edhe sot, e që janë një enigmë për shoqërinë kosovare: rasti i ngjarjeve të 10 shkurtit, vjedhjet në dhomën e dëshmive në polici, rasti Bllaca, rasti i kontrabandës nga ana e policëve të EULEX-it dhe tani ky i fundit, rasti Limaj, të gjitha këto janë një pasqyrë jo e mirë për politikën, për institucionet vendore dhe ndërkombëtare dhe krejt në fund për imazhin e shoqërisë kosovare?, ka thënë Kryeziu para gazetarëve.
Për KDI-në, Kryeziu ka thënë se këto janë ngjarje që shoqëria kosovare po i përjeton si zhytje në krizë të lartë të nivelit politik dhe institucional.
Ai më tej ka konsideruar se edhe pas gjithë këtyre zhvillimeve, kemi heshtje institucionale, mungesë të informatave dhe reagimeve të nevojshme politike e institucionale dhe si pasojë, shoqëria kosovare është e zhytur në një terr informativ institucional.
Të qenurit zyrtar i lartë i vendit, sipas tij, nuk është vetëm privilegj, por është edhe përgjegjësi ndaj zgjedhësve, prandaj ka shtuar se politika dhe institucionet duke heshtur nuk krijojnë mbështetje dhe hapësirë për funksionim të shtetit ligjor, përkundrazi ato krijojnë ambient pasigurie, krijojnë ndjenjën e një shoqërie ku nuk funksionon shteti ligjor.
Duke pasur parasysh këto zhvillime, në emër të KDI-së Kryeziu ka kërkuar nga institucionet vendore e ndërkombëtare më shumë përgjegjësi dhe funksionalitet, në mënyrë që të garantohet sundimi i ligjit. ?Po ashtu kërkojmë nga krerët institucional që të jenë më transparent dhe të kenë qëndrime institucionale për qytetarët në situata të tilla?, ka theksuar ai.

Drejtori ekzekutiv i KDI-së, Kryeziu ka bërë thirrje që EULEX-i do të duhej që rastet e rëndësisë së veçantë t?i trajtoj me prioritet të veçantë dhe mos të kemi fillime të hetimeve të rasteve dhe mos të kemi asnjëherë përfundim të tyre. Fillimi i proceseve të hetimeve dhe mos-përfundimi i tyre sipas tij, do të dëmtonte rëndë imazhin – edhe ashtu të zbehur të EULEX-it, e që një gjë e tillë, më së paku i duhet në këto momente.