Duke iu referuar një sërë zhvillimesh lidhur me fazën përgatitore para rifillimit të procesit të dialogut Kosovë-Serbi, përfshirë takimet e kryeministrit Kurti në Bruksel, vizitat e lehtësuesve të dialogut nga SHBA-ja dhe BE-ja, por edhe përgatitjet për takimin e paralajmëruar mes Kryeministrit të Kosovës dhe Presidentit të Serbisë në qershor, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) vlerëson se Kuvendi i Kosovës ka mbetur në margjinë të këtyre dinamikave.
Duke qenë se kuadri kushtetues e përcakton Kuvendin si organin më të lartë mbikëqyrës të politikës së jashtme, e për rrjedhojë edhe të dialogut me Serbinë, KDI konsideron që grupet parlamentare dhe deputët duhet të marrin përgjegjësinë kryesore për diskutimet që ndërlidhen me përgatitjet por edhe vet të ardhmen e këtij procesi, duke vënë në përdorim mekanizmat e garantuar të kërkim-llogaridhënies ndaj ekzekutivit. Në këtë mes, KDI vlerëson si pozitive diskutimet e fundit në mes të kryeministrit dhe liderëve politikë, por nuk i sheh të mjaftueshme.
Prandaj KDI i bën thirrje Kuvendit të ftojë sa më parë në raportim Kryeministrin Kurti, duke kërkuar nga ai ofrimin e informacioneve lidhur me përgatitjet aktuale të Kosovës në prag të rifillimit të procesit të dialogut dhe platformën e Kosovës për këtë proces.
Ndërsa, nga Kryeministri Kurti kërkojmë që, në funksion të transparencës së procesit, të ketë raportime të rregullta me vetiniciativë para Kuvendit për të gjitha zhvillimet lidhur me dialogun, duke përfshirë edhe fazën përgatitore, që do t’i mundësonte Kuvendit ushtrimin e një mbikëqyrje më proaktive.