Sot, në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, KDI lansoi kampanjën “Imunizohu kundër korrupsionit”. Kjo kampanjë ka për qëllim sensibilizimin e institucioneve, bizneseve dhe qytetarëve mbi nevojën për të punuar së bashku drejt çrrënjosjes së korrupsionit, që mbetet parakushti kryesor për të bërë progres në secilën sferë: drejtësi, zhvillim dhe mirëqenie. Simbolikë e këtij aktiviteti është “vaksinimi” kundër korrupsionit, për të treguar vullnet qytetar por edhe institucional se kjo duhet të ndodhë çdo ditë dhe duhet të fillojë me se secilin prej nesh, me familjet tona, institucionet dhe shoqërinë. Personi i parë që “u imunizua nga korrupsioni” ishte Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Ndonëse korrupsioni nuk është term i ri për qytetarët, manifestimi i tij shpesh mund të jetë i fshehtë dhe i vështirë për t’u kuptuar. Me këtë rast, KDI ka shpërndarë Abetaren Kundër Korrupsionit – një përmbledhje me shpjegime të thjeshta të koncepteve të korrupsionit.
KDI i vlerëson pozitivisht përpjekjet e qeverisë këtë vit për të avancuar ligjet që i shërbejnë parandalimit dhe luftimit të korrupsionit, duke përfshirë ligje si ai për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, deklarimin e pasurisë, Këshillin Prokurorial, Kodin e Procedurës Penale, financimin politik, Vetting-un, apo Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Megjithatë, kanë munguar përpjekjet që në këto diskutime të përçohet një frymë më bashkëpunuese dhe gjithëpërfshirëse me akterët relevantë. Kjo ka rezultuar me bojkotim të disa prej proceseve nga opozita dhe institucionet e gjyqësorit. KDI vlerëson se pa pjesëmarrjen e të gjitha institucioneve në iniciativa të rëndësishme, ato nuk do të mund të zbatohen dhe nuk do të përbrendësohen si vlera.
Zhvillim pozitiv këtë vit është mospërfshirja e zyrtarëve të lartë të qeverisë në skandale të korrupsionit dhe inicimi i rasteve “Brezovica” dhe “Subvencionet” nga institucionet e drejtësisë. Por, pavarësisht sinjaleve pozitive, rastet e korrupsionit të lartë që zvarriten me vite të tëra si, “Hidrocentralet”, ”Toka”, “Veteranët”, “Stenta” apo “53 milionëshi”, ende nuk kanë marrë epilog. Në shumë raste korruptive ku janë të përfshirë zyrtarë të profileve të larta nuk ka dënime me burgim efektiv. Po ashtu, mungojnë vendimet e institucioneve gjyqësore për konfiskimin e pasurisë së fituar kundërligjshëm. Këto vazhdojnë të minojnë besimin e publikut në drejtësi, ndërsa në përditshmëri i dekurajojnë qytetarët për t’i raportuar keqpërdorimet.
Vendimi i Qeverisë për uljen e pagave në sistemin e drejtësisë, e kthen luftën kundër korrupsionit në vendnumërim. Ndërsa, shkurtimi i buxhetit për institucionet që janë të thirrura për të parandaluar korrupsionin, si Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, është në kundërshtim me prioritetet e qeverisë në luftën kundër korrupsionit.
Sa i përket investimeve kapitale, Kosova sivjet ka pasur performancë të dobët, gjë që ka ndikuar edhe në uljen e rreziqeve për raste të korrupsionit. Sidoqoftë, mosshpenzimi asnjëherë nuk duhet parë si strategji për parandalimin e rasteve të korrupsionit. Qytetarët e Kosovës kanë nevojë për shërbime më të mira, spitale, shkolla, rrugë dhe energji. Investimet kapitale nuk janë rritur as pas kompletimit të bordit të OSHP-së, që ishte vlerësuar një ndër shkaktarët kryesorë të vonesave në implementimin e projekteve kapitale.
Përveç mungesës së investimeve, problematika të këtij viti ishin edhe mungesa e transparencës dhe keqmenaxhimi në shpenzimin e parasë publike. Në këtë drejtim, KDI kishte gjetur se Ministria e Shëndetësisë po paguante deri në 280% më shtrenjtë çmimet për barna në marrëveshjen që kishte
lidhur me UNOPS-in, për blerjet në kuadër të COVID, marrëveshje kjo që ende nuk është publike. Me mungesë të transparencës në mënyrën e shpenzimit të mjeteve janë karakterizuar edhe sektorët tjerë, si ai i mbrojtjes, i cili ka pasur rritjen më të madhe të buxhetit ndër vite.
KDI konsideron që rruga e luftimit të korrupsionit kalon përmes integritetit, transparencës dhe llogaridhënies së plotë të institucioneve. Trajtimi i lëndëve të korrupsionit kërkon një gjyqësor efikas, që është i lirë nga ndërhyrjet të jashtme politike.