Prizren, 22.04.2010 ? Përfaqësues të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), në një takim në Kuvendin Komunal, i kanë paraqitur kryetarit të Komunës së Prizrenit, Ramdan Muja, raportin e hartuar nga KDI mbi sektorin e urbanizmit në Komunën e Prizrenit. Përfaqësuesit e KDI-së, Naim Cahani dhe Ramadan Klisurica, i kanë paraqitur Kryetarit Muja, parregullsitë e evidentuara në Fshatin Turistik ?Prevalla? dhe kampingun veror në këtë fshat turistik. Po ashtu, janë paraqitur edhe të gjeturat tjera, si ndërtimet dhe mbindërtimet e shumta pa leje në qytetin e Prizrenit, vendosjen ilegale të antenave të operatorëve të telefonisë mobile, mungesën e koordinimit ndërinstitucional, mungesa e kapaciteteve të organeve komunale në sektorin e urbanizmit, etj.
Duke kërkuar nga kryetari Muja që të rris angazhimet e tij në drejtim të rritjes së kapaciteteve të institucionit të cilin ai e drejton dhe atë posaçërisht në sektorin e urbanizmit dhe inspektorateve, përfaqësuesit e KDI-së kanë paraqitur një brengë tjetër, atë rreth vendimit për emërimin e nënkryetarit të dytë të Komunës së Prizrenit nga komuniteti shumicë, veprim i cili është në kundërshtim me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale.
Në shumë nga pikat e diskutuara, Kryetari Muja është dakorduar me gjendjen ekzistuese në teren, duke vënë në pah njëkohësisht domosdoshmërinë e bashkëpunimit të QJQ-ve e qytetarëve me organet komunale në raportimin e menjëhershëm të këtyre fenomeneve negative, të cilat dëmtojnë qytetin dhe vetë qytetarët e Komunës së Prizrenit.
Sidoqoftë, përkushtimi i treguar nga Kryetari Muja për evidentimin e shkeljeve të ndryshme në terren dhe marrjen e masave për sanimin e gjendjes së rëndë, posaçërisht në zonën e Prevallës dhe me vendosjen ilegale të antenave të operatorëve të telefonisë mobile, paraqesin arsye për optimizëm për zhvillime pozitive në këtë sektor të rëndësishëm për Komunën e Prizrenit.
Takimi i përfaqësuesve të KDI me Kryetarin e Komunës së Prizrenit, u mbajt në kuadër të realizimit të projektit ?Pjesëmarrja qytetare dhe principet për një qeverisje të mirë? të financuar nga Olof Palme International Center (OPIC).