Në vazhdimësi të përpjekjeve për të rritur angazhimin qytetarë në kërkim të llogaridhënies nga institucionet, #KDI do të përqendrohet në tri vitet e ardhshme edhe në nivel lokal.
Kjo në saje të bashkëpunimit të radhës me Ambasadën Britanike në Prishtinë, përmes projektit më të ri “Rritja e llogaridhënies së institucioneve të qeverisjes lokale”.
Gjatë një ceremonie solemne drejtori ekzekutiv i KDI-së Ismet Kryeziu, si dhe ambasadori britanik Ruairí O’Connell formalizuan këtë bashkëpunim përmes nënshkrimit të kontratës për këtë projekt, që do të mundësoj lehtësimin e komunikimit ndërmjet qytetarëve dhe autoriteteve lokale nëpër fshatrat e 11 komunave ku do të zbatohet projekti si : Mitrovicë; Obiliq; Drenas; Klinë; Malishevë; Mamushë; Dragash; Shtërpce; Graçanicë; Viti dhe Kamenicë.
Përmes këtij projekti do të bëhet identifikimi i çështjeve që i preokupojnë qytetarët nëpër fshatrat, lagjet dhe tek grupet e paorganizuara në mënyrë që këto prioritete të përfshihen në planet e komunave për vitet e ardhshme.
Projekti do të rrisë pjesëmarrjen në vendimarrjen lokale, do të monitorojë punën e qeverisë lokale dhe do të shpërblejë praktikat më të mira. Kjo do të ndihmojë në forcimin e qeverisjes dhe sundimit të ligjit në nivelin e qeverisjes lokale. Po ashtu ky projekt synon të sjellë përfitime në aspektin e të drejtave të njeriut, duke përfshirë të drejtat e grave dhe të pakicave.