Edhe këtë vit, në ditën ndërkombëtare kundër korrupsionit, 9 dhjetor, KDI dhe UNDP përmes garës për foton më të mirë online, ftuan qytetarët që përmes fotografive të pasqyrojnë efektet që sjell korrupsioni në përditshmëri. Kjo garë ndër tjerash kishte për qëllim rritjen e vetëdijes qytetare për efektet e dëmshme të korrupsionit dhe promovimin e aktivizimit qytetar për të mbështetur luftën kundër korrupsionit.
Nga gjithsej nga 179 fotografi konkurruese, juria e përbërë nga fotografë profesionalë dhe përfaqësues të mediave përzgjodhi tre fotot më të mira, të cilat edhe u shpërblyen me çmimet në vijim:
vendi i parë 500€, është ndarë për Rexhep Kerën.
vendi i dytë 300€, është ndarë për Adi Beqirin.
vendi i tretë 100€,është ndarë për Driton Bublakun.
Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve morën pjesë vetë autorët e fotografive dhe përfaqësues të komunitetit të mediave, OJQ-ve, UNDP dhe KDI.
Me këtë rast Valbona Bogujevci, Koordinatore e Programit në UNDP, ka thënë: “Është shumë me rëndësi që kjo temë të trajtohet së bashku me shoqërinë civile dhe qytetarët sepse qytetarët mbeten partneri më i rëndësishëm dhe më i fuqishëm në luftë kundër korrupsionit”.
Ndërkaq Ismet Kryeziu, Drejtor Ekzekutiv në Institutin Demokratik të Kosovës /Transparency International Kosovo, ka thënë: “Fotografitë janë faktet më të mira të cilat shpërfaqin efektin e korrupsionit dhe në anën tjetër faktojnë të vërtetën mbi nivelin e korrupsionit në Kosovë. Prandaj të gjithë ata që vlerësojnë se korrupsioni është percepsion është mirë t’i shohin këto foto”.
Ky është viti i dytë që KDI dhe UNDP organizojnë këtë garë. Ndërsa 20 fotot më të mira të garës #hanhankorrupsioni që u ekspozuan në këtë ceremoni do të përdoren si dhurata për zyra të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare.