Gara për fotografinë që e shpërfaqë korrupsionin në Kosovë është aktivitet tradicional që KDI e organizon që 11 vite me rradhë. Kjo garë ka për qëllim të motivojë të gjitha audiencat, por sidomos ato te rejat që janë përdorues të teknologjisë – të angazhohen në luftën kundërkorrupsion përmes artit, si metodë jokonvencionale e aktivizmit në jetën publike.
Ne po ju sfidojmë edhe këtë vit – që përmes fotografisë, t’na tregoni efektet e korrupsionit në përditshmërinë tuaj!
Duke shkrepur një fotografi, ju bëheni qytetarë AKTIVË dhe më kërkues, e kjo mund të sjellë ndryshime pozitive në komunitetet tuaja.
Përveç që do të argëtoheni dhe do të kontribuoni në luftën kundër korrupsionit, ju keni mundësinë të fitoni një nga tre çmimet kryesore në vlerë prej 200, 150 dhe 100 euro.
Gara do të jetë e hapur tre muaj, nga data 9 shtator deri më 30 nëntor 2025 dhe gjithcka që ju duhet të bëni është që të dërgoni 1 deri në 3 fotografi në adresën elektronike [email protected] ose në rrjetin social në Facebook.
Bashkë me fotografinë(të) ju duhet t’na dërgoni të dhënat si emrin, mbiemrin, moshën, komunën dhe numrin e telefonit.
Tre fituesit shpallen më 9 dhjetor, në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit! Po atë ditë do të organizohet edhe ekspozita e fotografive.
Kushtet dhe rregullat:
- Aplikuesit duhet të jenë mbi moshën 18 vjeç.
- Aplikuesit mund të dërgojnë maksimalisht 3 fotografi.
- Fotografitë e dërguara duhet të paraqesin ndikimin dhe pasojat e korrupsionit.
- Fotografitë duhet të bëhen në territorin e Kosovës dhe të jenë të realizuara ekskluzivisht për këtë garë. Çdo fotografi e publikuar para garës apo e realizuar për qëllime të ndonjë gare tjetër eliminohet.
- Fotografitë e dërguara duhet të kenë rezolucion të lartë Full HD 1920×1080 px.
- Çdo aplikues/garues duhet të garantojë që fotografia(të) është bërë me miratim të protagonistëve, pasi atyre u është garantuar se nuk do t’u shkelen të drejtat, përfshirë të drejtën e privatësisë, të drejtën e pronësisë intelektuale, të drejtën e kopjimit të paautorizuar apo ndonjë të drejtë të ndonjë personi të tretë;
- Fituesit e garës duhet të jenë të gatshëm t’a tregojnë storien prapa fotografive të tyre, verbalisht ose në të shkruar.
Klauzola:
- Me rastin e pjesëmarrjes në këtë garë, garuesi garanton se është autor i fotografisë. Në rast se paraqitet çfarëdo kontesti mbi të drejtën e autorit, KDI nuk merr asnjë përgjegjësi.
- Nëse në garë konkurrojnë dy a më shumë fotografi që portretizojnë objektin apo subjektin e njëjtë, përzgjidhet ajo që ka vlerë më të lartë artistike.
- Garuesi në momentin e aplikimit i jep të drejtë Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) që ta përdorë, shpërndajë, shtypë, ta përdorë në raporte, promovim të ndonjë aktiviteti apo rishpërndaj fotografinë, pa pasur nevojë të kërkojë leje nga autori.
- Çdo kontest që mund të paraqitet në lidhje me këtë garë do të trajtohet në përputhjet me Ligjet e Republikës së Kosovës.
- Shumat e çmimeve janë subjekt i tatimit në fitim.
- Të dhënat e pjesëmarrësve të dërguara për qëllim të kësaj gare do të mbrohen në bazë të ligjit në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.