Fillon hulumtimi unik dhe gjithpërfshirës në sistemin e drejtësisë

04.04.2017

Përmes një eventi ceremenonial sot KDI zyrtarisht lansoi fillimin e një studimi gjithpërfshirës dhe unik në sektorin e drejtësisë në Kosovë – “Iniciativa për Integritet Gjyqësor”, i cili është pjesë e programit “Kërko Drejtësi” që financohet nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe zbatohet nga NCSC. 

Qëllimi i këtij hulumtimi është që t’u ofrojë mundësinë akterëve kryesor të sistemit të drejtësisë në Kosovë, që në mënyrë anonime të ndajnë shqetësimet rreth llojeve të sjelljeve korruptive dhe rrethanave në të cilat ato shfaqen.  Kjo anketë do të zhvillohet gjatë muajit prill dhe në të do të marrin pjesë akterët kryesor të sistemit të drejtësisë në Kosovë si: gjyqtarët, prokurorët, avokatët, policët hetues dhe inspektorët policorë të Kosovës.

Me këtë rast, drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu, theksoi se “Iniciativa për Integritet Gjyqësor” iu mundëson respondentëve nga radhët e gjyqtarëve, prokurorëve, policëve dhe stafit administrativ të sistemit të drejtësisë, që në mënyrë plotësisht anonime të ndajnë shqetësimet e tyre për rrethanat e mundshme brenda sistemit të drejtësisë në Kosovë që mund të dëmtojnë integritetin e tyre profesional. “Vetëm duke ekspozuar dhe përshkruar dobësitë institucionale që e ushqejnë sjelljen korruptive, Kosova do të jetë në gjendje t'i adresojë këto dobësi përmes ndryshimeve ligjore, shtimit të mbikëqyrjes, apo rritjes së transparencës”, ka thënë ai.

Osman Havolli kryetar i Odës së Avokatëve të Kosovës, ka thënë se nëpërmjet këtij pyetësori për integritet dhe gjithëpërfshirjes sikurse të gjyqtarëve, prokurorëve e avokatëve, beson fuqishëm se po i kontribuohet sistemit të drejtësisë. “Kështu rezultatet e këtij pyetësori do të jenë një udhërrëfyes për të eliminuar format e ndryshme të keqpërdorimeve të cilat ndikojnë në integritetin e bartësve të funksioneve në sistemin e drejtësisë në veçanti dhe në uljen e rasteve korruptive në përgjithësi”, ka thënë ndër të tjera ai.

Kurse Nehat Idrizi, kryetar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), ka potencuar se kjo iniciativë është e mirëseardhur dhe përbën një risi për sistemin e drejtësisë në Kosovë. “Përmes këtij hulumtimi akterët kryesorë të drejtësisë në Kosovë do të kenë mundësinë që nga brenda të denoncojnë apo adresojnë shqetësimet e tyre për ndonjë sjellje eventuale korruptive të kolegëve të tyre. Kjo thënë të drejtën përbën një qasje të re në implementimin e standardeve të integritetit gjyqësor që i kishte munguar sistemit tonë të drejtësisë”, ka shtuar ai.

Blerim Isufaj kryetar i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), ka theksuar se KPK-ja e ka vendosur si pjesë të prioriteteve strategjike ngritjen e integritetit në sistemin prokurorial.
“Ne nga fillimi e kemi përkrahur iniciativën tuaj duke kërkuar bashkëpunim me projektin tuaj nga të gjithë prokurorët dhe stafi i sistemit prokurorial. Mbesim me shpresë që rezultatet e vlerësimit do të tregojnë jo vetëm nivelin aktual të integritetit por do të jenë udhëzues i qartë për Këshillin që të hartojë politika dhe të marr vendime për forcimin e integritetit të këtij sistemi”, ka thënë ai.

Ky hulumtim është pjesë e programit “Kërko Drejtësi” që financohet nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Byroja për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL) dhe implementohet nga Qendra Kombëtare për Gjykatat Shtetërore (NCSC). Instituti Demokratik i Kosovës është partner implementues për hulumtimin “Iniciativa për Integritet Gjyqësor” si komponenta më e rëndësishme e programit.