Drejtori Ekzekutiv i KDI-së, Kryeziu, ligjëron para studentëve të Kolegjit Victory

01.01.2011

Prishtinë, 08 prill 2010 – Drejtori Ekzekutiv i KDI-së, njëherësh udhëheqës i koalicionit të OJQ-ve Demokracia në Veprim, Ismet Kryeziu, para studentëve të Kolegjit Victory në Prishtinë, ka mbajtur një ligjëratë me temën ?Roli dhe Veprimtaria e ?Demokracisë në Veprim?.

Fillimisht, Kryeziu ka çmuar rolin dhe kontributin e Kolegjit Victory që po jep në nxjerrjen e kuadrove të nevojshme për vendin, si në fushën e diplomacisë, po ashtu edhe të ekonomisë dhe tregtisë e jashtme.

Para studentëve të Kolegjit Victory, Kryeziu ka folur për rolin e shoqërisë civile në Kosovë dhe në veçanti të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) dhe koalicionit të OJQ-ve Demokracia në Veprim. Kryeziu ka vlerësuar se shoqëria civile është duke u angazhuar mjaft në adresimin e brengave dhe kërkesave qytetare, por ai ka përmendur se shoqëria civile duhet të jetë më shumë e angazhuar në takimet e drejtpërdrejta me qytetarë.

Ai ka folur edhe për misionin, vizionin dhe aktivitetet e KDI-së, programet dhe angazhimet e kësaj organizate në mbështetjen e zhvillimit të demokracisë, duke fuqizuar qytetarët dhe sektorin joqeveritar për të ndikuar në rritjen e transparencës, përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies së institucioneve qeveritare dhe përmirësimit të efikasitetit të këtyre institucioneve përmes pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje.

Një pjesë të rëndësishme të ligjëratës, Kryeziu para studentëve e ka fokusuar në historikun, përbërjen dhe rolin që është duke luajtur koalicioni i OJQ-ve Demokracia në Veprim, në procesin zgjedhor. Kryeziu ka vlerësuar se zgjedhjet janë zemra e demokracisë. Ai ka paraqitur të metat e procesit, rekomandimet, si dhe ka diskutuar me studentët për gjetjen e mënyrave më të mira për të pasur një proces zgjedhor sa më demokratik.

Nga ana e studentëve është treguar interesim i madh si për veprimtarinë e KDI-së, po ashtu edhe për çështje të ndryshme që ballafaqohet vendi. Transparenca e institucioneve, sistemi zgjedhor, votat me kusht, si dhe pjesëmarrja e femrave në vendimmarrje, kanë qenë disa nga temat që janë diskutuar ndërmjet Kryeziut dhe studentëve të Kolegjit Victory.

Drejtori Ekzekutiv i KDI-së u ka premtuar studentëve të këtij kolegji bashkëpunim në fushën e mbajtjes së praktikës në organizatë.