Koalicioni i OJQ-ve për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim (DnV)” ka filluar përgatitjet për monitorimin e procesit zgjedhor për Zgjedhjet e parakohshme parlamentare për Kuvendin e Kosovës. DnV-ja do të vëzhgojë nga afër edhe aktivitetet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), duke konfirmuar angazhimin e saj për të siguruar një organizim dhe menaxhim të mirëfilltë të procesit zgjedhor.
Çështja e parë e cila kërkon vëmendje të menjëhershme nga subjektet politike është nominimi i anëtarëve të Komisioneve Komunale Zgjedhore (KKZ), duke respektuar parimin e barazisë gjinore. Të dhënat nga zgjedhjet e kaluara parlamentare tregojnë se partitë politike kanë nominuar vetëm 25 gra (ose rreth 9%) nga 263 anëtarë të KKZ-ve, në mbi 40% e komunave nuk kanë pasur asnjë grua në përbërje të KKZ-ve ndërsa vetëm katër nga 38 KKZ janë udhëhequr nga gratë.
DnV u bën thirrje subjekteve politike që premtimet e tyre për përfshirje të grave në proces zgjedhor mund të arrihen vetëm me veprime konkrete, dhe atë duke duke garantuar përfaqësim të barabartë gjinor gjatë nominimit të anëtarëve të KKZ-ve, proces ky që ka filluar sot dhe përfundon me 31 gusht dhe që bazohet në Ligjin për Barazi Gjinore dhe në vet Kushtetutën e vendit. Për më tepër, në vitin 2015, subjektet politike në vend kanë nënshkruar Deklaratën për rritjen e përfshirjes së grave në proceset zgjedhore, e cila synonte rritjen e përfaqësimit të grave në trupat menaxhuese të zgjedhjeve që nga niveli qendror, në nivel komunal dhe në nivel të vendvotimeve prej të paktën 40% dhe deri në arritjen e përfaqësimit të barabartë për të dy gjinitë.
Afat i rëndësishëm në procesin e organizimit të zgjedhjeve është afati për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre. Përgjatë këtij afati, subjektet polike kanë mundësinë që përfundimisht të garantojnë zbatimin e Ligjit për Barazi Gjinore duke aplikuar koutën gjinore 50% në listat e tyre zgjedhore dhe të sillen konform parimeve bazë të demokracisë. Pjesëmarrja e barabartë e grave në politikë, është një ndër elementet kyçe të demokracisë e cila mundëson zhvillim juridik dhe social të shoqërisë. Kuota gjinore prej 30% për listat e kandidatëve ka rezultuar në përfaqësimin më të madh të grave, pa pasur nevojë për koutë gjinore. Gjegjësisht, në legjislaturën e pestë, 20 nga 39 gratë deputete nuk kishin nevojë për kuotë për t’u zgjedhur. Në legjislatura e VI-të nga 38 deputete, 17 prej tyre kanë hyrë në kuvendë në saje të koutës, kurse 21 prej tyre kishin fituar ulëse pa kuotë. Po ashtu, në legjislaturën e fundit, shtatë nga 14 komisionet parlamentare janë udhëhequr nga deputetet gra. Andaj garantimi i barazisë gjinore ne lista zgjedhore, përveç që siguron respektimin e të drejtave fundamentale, kontriubon për një qeverisje më të mirë dhe demokratike.
KQZ ka përcaktuar edhe periudhën e shërbimit të votuesve dhe atë të kundështimit dhe konfirmimit të listës së votuesve, të cilat do të fillojnë më 3 shtator dhe përfundojnë më 14 shtator, respektivisht prej 12 deri më 14 shtator. Këto afate u mundësojnë qytetarëve të evidentojnë personat e vdekur të cilët figurojnë në listën e votuesve, dhe të njëjtit ti paraqesin tek institucionet përgjegjëse. DnV u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të shfrytëzojnë këtë afat kohor sepse kjo do të ndikonte në pastrimin e Listave të Votuesve dhe parandalimin e keqpërdorimeve eventuale.
Shprehja e vullnetit qytetar të lirë në proceset zgjedhore duhet të jetë qëllim parësor i KQZ dhe subjektet politike. Andaj, DnV kërkon nga KQZ dhe subjektet politike që t’i kushtojnë rëndësi dhe fokus të vecantë informimit dhe edukimit të votuesve. Kjo, sidomos duke marrë parasysh numrin e madh të fletëvotimeve të pavlefshme në ciklet e kaluara zgjedhore, e që ka derivuar kryesisht si rezultat i kampanjave joadekuate për edukimin e votuesve lidhur me mënyrën e votimit. Vetëm në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, janë evidentuar mbi 40,000 fletëvotime të pavlefshme, prej të cilave në 48.26% të rasteve janë shënjuar vetëm kandidatët por nuk është shënjuar subjekti politik, tregues ky për mungesën e informimit adekuat lidhur me mënyrën e votimit, si dhe problemeve me dizajnin e fletëvotimit. Lidhur me këtë, kërkojmë nga KQZ-ja që të marrë parasysh rekomandimet e organizatave të shoqërisë civile lidhur me përmirësimin e kampanjave për informimin dhe edukimin e votuesve, si dhe të përdorë dizajnin e fletëvotimit të propozuar nga shoqëria civile, i cili është përgatitur nga ekspertë të fushës, është testuar në publik, dhe i njëjti i është prezantuar KQZ-së, bashkë me rezultatet e testimit, qysh në vitin e kaluar.
DnV do të vazhdoj të përcjellë nga afër të gjitha proceset që ndërlidhen me organizimin dhe menaxhimin e zgjedhjeve, duke u bërë thirrje të gjithë akterëve të përfshirë në proces të garantojnë organizimin e mirëfilltë të zgjedhjeve, duke aplikuar standardet demokratike dhe duke respektuar ligjet në fuqi.