Demokracia në Veprim (DnV) është duke vëzhguar fushatën zgjedhore për Zgjedhjet e Përgjithshme të 6 Tetorit, në nivel vendi. Gjithsej 72 vëzhguesve afatgjatë janë në terren duke vëzhguar dhe raportuar në baza ditore mbi mbarëvajtjen, aktivitetet dhe shpenzimet e subjekteve politike që po garojnë për zgjedhje.
Aktivitetet e monitoruara
Gjatë treditëshit të parë të fushatës zgjedhore, janë vëzhguar gjithsej 217 aktivitete të subjekteve politike, pjesa më e madhe e të cilave kanë qenë tubime publike. Trendi i tubimeve publike ka vazhduar përgjatë tre ditëve të fushatës, si një metodë që partitë politike kanë zgjedhur për të përçuar mesazhet e tyre ndaj një publiku më të madh. Gjithsesi nuk kanë munguar as format e tjera të bërjes fushatë, ku subjektet politike kanë organizuar vizita derë më derë (në 11 raste), kanë mbajtur takime me grupe të shënjestruara (në 13 raste), si dhe kanë vendosur shtande në hapësira publike (në 8 raste).
Numerikisht aktivitetet zgjedhore të organizuara nga subjekteve politike në tre ditët e para janë si në vijim: PDK-70 aktivitete, LDK-33 aktivitete, LVV-35 aktivitete, Koalicioni AAK-PSD -25 aktivitete, Lista Serbe-20 aktivitete, Koalicioni Nisma-AKR-PD -19 aktivitete, dhe 15 aktivitete janë organizuar nga subjekte të tjera.
Paralajmërimi në KKZ
Sipas të dhënave të marra nga Komisionet Komunale Zgjedhore (KKZ), rezulton që 148 takime kanë qenë të paralajmëruara, ndërsa 40 nga aktivitetet e monitoruara nuk janë paralajmëruar ashtu siç e kërkon ligji.
Pjesëmarrja e qytetarëve në aktivitete zgjedhore
Trendi i pjesëmarrjes së qytetarëve në aktivitete zgjedhore është i ndryshueshëm. Afërsisht 40 mijë qytetarë ishin pjesëmarrës në ditën e parë në aktivitete zgjedhore, kurse në ditën e dytë pjesëmarrja u ulë në afërsisht 18 mijë persona. Ndërsa në ditën e tretë kanë marr pjesë rreth 21 mijë persona. Totali për 3 ditë aktivitete zgjedhore është rreth 78 mijë e 500 persona të pranishëm në aktivitete zgjedhore.
Pjesëmarrja e grave
Është vërejtur trend i rënies së pjesëmarrjes së grave në aktivitete të subjekteve politike. Në ditën e parë ka pasur pjesëmarrje të grave rreth 25%, në ditën e dytë është parë një zbritje e pjesëmarrjes në rreth 20%, ndërsa në të tretën 21%.
Për tre ditë fushatë, rreth 22 mijë gra kanë qenë pjesëmarrëse në aktivitetet e subjekteve politike në mbarë vendin.
Pjesëmarrja e fëmijëve
Në tre ditë të fushatës, është shënuar një rritje e pjesëmarrjes së fëmijëve me afërsisht 730 fëmijë, që kanë marrur pjesë në aktivitetet e subjekteve politike. Pjesëmarrja e tyre është vënë re në 56 aktivitete zgjedhore dhe në 13 raste ka qenë e organizuar.
Qasja e personave me aftësi të kufizuara
Infrastruktura për qasjen e personave me aftësi të kufizuara nuk është ofruar në rreth 33% të aktiviteteve të monitoruara nga DnV-ja, ndërsa kanë marrë pjesë 74 persona me aftësi të kufizuara. Nuk vihet re ndryshim i theksuar nga dita e parë e fushatës në ditën e tret, trendi i të pranishëmve dhe i hapësirave që ju lejojnë qasjen për pjesëmarrje.
Gjuha e urrejtjes
Subjektet politike në tre ditët e para të fushatës kanë përdorur gjuhë që nxit për urrejtje dhe gjuhë fyese, kundër subjekteve të tjera politike të cilat garojnë në këto zgjedhje. Në disa takime fjalët ‘hajn, njeri i ligë, njeri i territ, ka vjedhur, kriminel etj’ janë përdorur për të akuzuar njëri-tjetrin. Kryesisht gjuha nxitëse që çon në urrejtje ka bazë politike.
Në aktivitetet zgjedhore të monitoruara në 11 raste mesazhet e dhëna gjatë aktivitetit kanë përmbajtur gjuhë që nxit urrejtje në baza politike.
Sipas subjekteve politike:
Në aktivitetet e organizuara nga Koalicioni Nisma-AKR-PD është vënë re përçimi i mesazheve me gjuhë nxitëse me karakter politik në 1 aktivitet (në Prizren), LVV në 2 aktivitete (Prizren), LDK në 3 raste (2 raste ne Gjilan dhe 1 rast në Lipjan), PDK në 1 rast në Lipjan dhe Hanë të Elezit, Koalicioni AAK-PSD në 1 rast në Deçan subjekte të tjera (Në Grançanicë dhe Ranillugë).
Resurset publike në fushatë
Shfrytëzimi i resurseve publike ka shënuar rritje nga dita e parë e fushatës zgjedhore sipas aktiviteteve të monitoruara nga DnV-ja, ku në 20 raste kishte përdorim të 50 veturave zyrtare dhe 40 raste pjesëmarrje të shërbyesve civil.
Sipas subjekteve politike:
Veturat zyrtare
Në aktivitetet e Listës Serbe në Graçanicë në 3 raste është vënë re përdorim i veturës zyrtare dhe në 2 organizime tjera të subjekteve politike serbe është vërejt përdorimi i veturave zyrtare dhe atë nga 1 rast në në Ranillug dhe Shtërpce. PDK në 3 raste në Shtime dhe 1 në Shtërpce, Nisma-AKR-PD në 2 raste në Mitrovicë të Jugut dhe me nga 1 në Vushtrri dhe Shtime, LDK në 2 raste në Viti, Koalicioni AAK-PSD-PD në 3 raste në Klinë dhe 1 rast në Junik, LVV në 1 rast në Vushtrri kanë përdorur ka përdorur veturë zyrtare.
Prania e shërbyesve civil
Po ashtu, është vënë re prani e shërbyesve civil në aktivitetet e organizuara nga PDK në 18 raste (nga 1 rast në Mitrovicën e Jugut, Hanë të Elezit dhe në Dragash, 4 raste në Shtime, 3 raste në Lipjan dhe Skenderaj, 5 raste në Ferizaj), LDK në 6 raste (Gjilan, Podujevë, Viti, Prizren, Lipjan dhe Klinë), NISMA-AKR-PD 2 raste (në Mitrovicë e Jugut), LVV në 3 raste (2 raste në Mitrovicën e Jugut dhe 1 rast në Vushtrri), AAK-PSD-PD në 7 raste (në 3 raste në Klinë, 2 raste në Gjakovë dhe nga 1 rast në Pejë e Ferizaj), 3 raste nga Lista Serbe (në Graçanicë) dhe 1 rast tjetër në Shtërpce nga një subjekt tjetër politik.
Edukimi i votuesve nga subjektet politike
Edukimi i votuesve është një ndër elementët që u evidentua në 36% të aktiviteteve zgjedhore të monitoruara nga DnV-ja pothuajse nga të gjithë subjektet politike.
Folësit në fushata
Pjesëmarrja e ulët e grave në aktivitete zgjedhore ka përcjellur të gjitha proceset zgjedhore në Kosovë pavarësisht preorgativave ligjore dhe kushtetuese të cilat garantojnë barazi gjinore. Në aktivitetet zgjedhore që u monitoruan nga DnV në total folës ishin 798 persona prej të cilëve raporti gjinor i pabarabartë në mes grave dhe burrave mbetet i njëjtë që nga dita e parë. Në tre ditë të fushatës zgjedhore folës ishin 77% ishin burra dhe 23% gra. Ndërsa në 2 raste, folës kanë qenë personat me aftësi të kufizuara përkatësisht në Malishevë në aktivitete të ndara të koalicionit NISMA-AKR-PD dhe LDK.
Atmosfera e aktiviteteve zgjedhore
Në përgjithësi, atmosfera në të cilën aktivitetet zgjedhore janë zhvilluar ka qenë e qetë. Përveç një rasti në Prizren kur para fillimit të tubimit elektoral të PDK-së, zyrtarët e saj në mes vete janë përleshur. Me intervenimin e sigurimit, çështja është zgjidhur dhe aktiviteti më pas ka vazhduar i qetë. Ndërsa nga Komuna e Deçanit është raportuar se në 2 raste janë hequr apo dëmtuar billbordet e LVV-së.
Ofrimi i sigurisë
Në shumicën e rasteve të monitoruara Policia e Kosovës është përkujdesur për sigurimin e aktiviteteve zgjedhore.
Prania e mediave
Mediat nuk kanë qenë të pranishme në 133 aktiviteteve zgjedhore të monitoruara në nivel vendi, ndërsa në aktivitet në të cilat kanë marr pjesë nuk janë penguar të raportojnë lirshëm.
Ankesat e dorëzuara në PZAP
Koalicioni DnV, në tre ditët e fushatës zgjedhore ka parashtruar para PZAP-së, 6 ankesa kundër subjekteve politike për vendosje të posterëve apo pankartave në hapësira publike si dhe një rast e ka paraqitur kundër Listës Serbe për spotin publicitar, i cili ka bërë presion ndaj votuesve për të votuar subjektin e caktuar politik. PZAP deri tani ka kthyer 3 vendime pozitive ku subjektet janë gjobitur me 36 mijë euro.
Shpenzimet e subjekteve politike
Gjatë aktiviteteve të subjekteve politike për tri ditët e fushatës, është raportuar për përdorim të artikujve të ndryshëm (bina, zërim, ushqim, pije, ndriçim dhe laserë, karrige, moderator, LED, mjete piroteknike, shtande, dhe fotograf), materialeve promovuese, performanca artistike si dhe mjete të transportit.
Duke i kalkuluar me çmimet mesatare të tregut për secilin artikull/shërbim, subjektet politike për këtë periudhë kanë shpenzuar rreth 1 milion e 64 mijë euro për organizimin e aktiviteteve në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
Monitorimi i mediave
Sa i përket monitorimit të mediave, kur është fjala për kronikat e televizioneve të dhënat për dy ditët e para të fushatës, tregojnë që më së shumti mbulueshmëri ka pasur PDK me 38 minuta, pastaj VV me 36 min, LDK me 33 min, AAK me 25, PEK me 9, Fjala me 10, Lista serbe 25, SLS 8 minuta dhe koalicioni Slloboda me 8 minuta.
Kurse sa i përket minutazhës së spoteve reklamuese të subjekteve politike dhe kandidatëve të transmetuara në TV, të dhënat e monitorimit tregojnë se prinë koalcioni AAK-PSD me 86 minuta, PDK me 42, LDK me 25, NISMA-AKR me 14, Lista Serbe me 6.45 min.
Nga monitorimi i transmetimeve direkte “ livestream” përmes Facebookut të portaleve, prinë Koalicioni Nisma – AKR që ka 261 minuta ‘livestream’ nga vetëm 3 portale, PDK ka 213 minuta nga 6 portale, AAK-PSD me 202 min, LDK me 163 min kurse VV dhe të tjerat nuk kanë.