DnV: Rritet interesimi i qytetarëve për të votuar, dalja deri në orën 17:00, 38.9 %
Tani kur kanë kaluar dhjetë orë që nga hapja e vendvotimeve, po vërehet një interesim më i lartë i qytetarëve për të votuar ndërsa procesi në përgjithësi po rrjedhë i qetë. Dalja në votime, sipas vëzhguesve të DnV-së, deri në orën 17:00 është rreth 38,9%.
Sa për krahasim, dalja në votime në intervalin e njejtë kohor në zgjedhjet e 9 shkurtit, ishte e njejtë rreth 39%.
Regjionet me dalje më te madhe janë komunat me shumicë serbe (47%) pasuar nga rajoni i Prishtinës ku dalja është (43%)
Parregullsitë më të shprehura në procesin e votimit
Vështirësitë e votuesve në gjetjen e vendvotimit
Edhe në pjesën e dytë të ditës, ka pasur mjaft raste kur votuesit janë gjendur në vendvotime joadekuate. Nga hapja evendvotimeve deri në orën 17:00, këto vështirësi janë raportuar në 70% të vendvotimeve, madje në 15% të vendvotimeve kjo dukuri ka qenë e shprehur deri në 30 raste.
Votimi me asistencë
Trendi i votimit me asistencë që nga mëngjesi ka mbetur përgjithësisht i njejtë, ndonëse më i përhapur në më shumë vendvotime. Nuk janë përjashtuar rastet e mosevidentimit të votimit me asistencë dhe atë në 9% të vendvotimeve, deri në 10 raste.
Komisionerët në 75% të vendvotimeve kanë vazhduar të kërkojnë dokumente mjekësore nga të gjithë qytetarët që kanë kërkuar të votojnë me ndihmën e dikujt tjetër. Për me tëpër, në 55% të vendvotimeve nuk kanë lejuar që të votohet me asistencë pa dokumente mjekësore, përkundër insistimit të votuesve.
Votimi me dokumente të pavlefshme
Deri në orën 17:00, raste të votimit me dokumente me afat të skaduar janë hasur në 30% të vendvotimeve, deri në 5 raste. Gjithashtu në 10% të vendvotimeve ka pasur deri në 4 raste kur votuesit janë identifikuar me dokumente jo valide.
Fotografimi i votës
Ndonëse fenomen në përmasa të vogla, cenimi i fshehtësisë së votës i manifestuar përmes fotografimit të votës po vazhdon të shfaqet edhe në këto zgjedhje. Fotografimi i votës dhe bërja e saj publike supozohet se ka të bëjë me blerjen e votës, frikësimin e votuesit dhe shtrembërimin e vullnetit të tij.
Deri në orën 17:00, raste të izoluara të fotografimit të votës kanë qenë gjithsej 21 raste, e hasur në 3% të vendvotimeve.
Incidentet serioze
Dy orë para përmbylljes së procesit të votimit, po raportohet për ndërprerje të energjisë elektrike në të paktën dy Qendra të Votimit. Poashtu në një vendvotim dështë raportuar se kodet në fletëvotime nuk po përputhen.
***
Tani kur kanë mbetur edhe dy orë deri në mbyllje të vendvotimeve, DnV u bën thirrje qytetarëve të shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike për të votuar. Pjesëmarrja në zgjedhje përveç që është e drejtë themelore, është edhe përgjegjësi dhe mjet i fuqishëm për të ndikuar në drejtimin e qeverisjes së vendit.
***
Demokracia në Veprim (DnV) është koalicioni vendor i organizatave jo-qeveritare kosovare për vëzhgimin e zgjedhjeve. Ky koalicion ka vëzhguar të gjitha proceset zgjedhore që nga 2007. Për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 Dhjetorit, DnV do të bazohet në metodologjinë e Numërimit Paralel të Votave (e njohur si PVT). Kjo metodë e bazuar në parime statistikore mundëson vlerësimin e procesit të votimit në ditën e zgjedhjeve, përfshirë edhe procesin e numërimit. PVT aplikohet në një mostër përfaqësuese të rastësishme të vendvotimeve, që do të thotë që rezultatet e marra në këtë mënyrë janë të aplikueshme në nivel vendi. Për ditën e zgjedhjeve, DnV ka akredituar 500 vëzhgues statikë të cilët po mbështeten nga 50 ekipe mobile dhe dhjetëra vullnetarë në Qendrën e Thirrjeve..