DNV me plan të detajuar për vëzhgimin e ditës së zgjedhjeve 

Konferenca për media 06.06.2026

Prishtinë, 6 Qershor 2026, ora 17:00

DNV me plan të detajuar për vëzhgimin e ditës së zgjedhjeve –  pas një fushate të ngjeshur me rivalitet të theksuar politik

Në prag të ditës së votimit për Zgjedhjet e Parakohshme Parlamentare të 7 qershorit, koalicioni Demokracia në Veprim (DnV) sot mbajti konferencë për media ku shpalosi vlerësimin e saj mbi periudhën parazgjedhore, zhvillimin e fushatës zgjedhore dhe planin për vëzhgimin e Ditës së Zgjedhjeve.

Vlerësimet e DnV-së bazohen në monitorimin sistematik të procesit zgjedhor, përfshirë fushatën, punën e KQZ-së në administrimin e zgjedhjeve, monitorimin e mediave tradicionale, dhe  monitorimin e aktiviteteve, përkatësisht shpenzimeve të subjekteve dhe kandidatëve në rrjetet sociale.

Vlerësimi i përgjithshëm i fushatës zgjedhore
Në përgjithësi, fushata zgjedhore është zhvilluar në një ambient konkurrues dhe kryesisht të qetë, duke u mundësuar subjekteve politike dhe kandidatëve të paraqesin ofertat e tyre para qytetarëve. Gara zgjedhore ka qenë e hapur për subjektet politike dhe komunitetet, duke reflektuar pluralizmin politik dhe standardet themelore të një procesi demokratik.

Subjektet politike kanë pasur mundësi të zhvillojnë aktivitetet e tyre zgjedhore dhe të komunikojnë me votuesit në të gjithë territorin e vendit, përmes mobilizimeve në terren dhe përmes kampanjave digjitale.
Megjithatë, pabarazia në garën zgjedhore ka mbetur një nga shqetësimet kryesore të evidentuara gjatë kësaj periudhe. Veprime dhe vendime të institucioneve publike me ndikim elektoral, para fillimit të fushatës, kanë ndikuar në perceptimin e barazisë së mundësive ndërmjet konkurrentëve politikë.

Në përgjithësi, fushata është karakterizuar më shumë nga promovimi i liderëve politikë dhe mesazheve elektorale sesa nga prezantimi i kandidatëve individualë. Është poashtu pozitive që në këtë fushatë nuk është shënuar ndonjë incident i theksuar.

Oferta zgjedhore, temat dominuese në fushatë dhe kandidatët
Temat që kanë dominuar fushatën zgjedhore lidhen kryesisht me ekonominë, energjinë, pagat, pensionet, skemat sociale, zhvillimin e infrastrukturës dhe teknologjinë.

Premtimet për rritjen e të ardhurave, mbështetjen sociale dhe përmirësimin e mirëqenies ekonomike kanë qenë të pranishme pothuajse te të gjitha subjektet politike, pavarësisht dallimeve programore ndërmjet tyre. Megjithatë, në shumicën e rasteve ka munguar elaborimi i plotë i kostos financiare, burimeve të financimit dhe afateve konkrete të realizimit të këtyre zotimeve.

Për pasojë, debati publik shpesh është fokusuar më shumë në slogane dhe mesazhe politike sesa në politika publike të matshme, të financueshme dhe të zbatueshme.
Një zhvillim pozitiv i kësaj gare zgjedhore është përfshirja e një numri të konsiderueshëm kandidatësh të rinj. Mbi gjysma e kandidatëve garojnë për herë të parë për një mandat përfaqësues, ndërsa mosha mesatare e kandidatëve është rreth 42 vjeç.

Gratë përbëjnë rreth 34 për qind të kandidatëve për deputetë, duke tejkaluar pragun minimal ligjor të përfaqësimit. Megjithatë, monitorimi i DnV-së ka evidentuar se pjesëmarrja e grave në debatet televizive, panelet publike dhe hapësirën mediatike gjatë fushatës ka qenë dukshëm më e ulët krahasuar me burrat.
Kjo tregon se përfaqësimi formal nuk garanton domosdoshmërisht mundësi të barabarta për pjesëmarrje dhe përfaqësim në diskursin publik dhe politik

Natyra e fushatës, toni i komunikimit publik
Fushatën 10 ditëshe zyrtare e kanë dominuar tubimet e mëdha elektorale në qendrat kryesore të Kosovës. Takimet në komunitete dhe aktivitetet derë më derë, kanë qenë më pak të pranishme. Në rastet kur janë zhvilluar aktivitete në terren, ato shpesh kanë qenë të fokusuara në vizita biznesesh apo aktivitete promovuese, ndërsa më pak në diskutime të hapura me qytetarët mbi nevojat dhe prioritetet e tyre.
Kjo ka kufizuar mundësinë për një dialog më substancial ndërmjet kandidatëve dhe votuesve dhe për një diskutim më të thelluar rreth politikave publike.

Fushata zgjedhore është zhvilluar në një atmosferë më të qetë krahasuar me disa procese të mëhershme zgjedhore. Kanë qenë të shprehura rastet e përfshirjes së fëmijëve në aktivitete politike dhe promovuese të subjekteve zgjedhore. Përdorimi i fëmijëve për qëllime të promovimit politik mbetet praktikë e papërshtatshme dhe në kundërshtim me parimin e mbrojtjes së interesit më të mirë të fëmijës.

Megjithatë, nuk kanë munguar rastet e gjuhës etiketuese, sulmeve personale dhe retorikës polarizuese ndërmjet akterëve politikë, të cilat kanë ndikuar në cilësinë e debatit publik.

Shqetësim i veçantë mbetet vazhdimi i trendit të dezinformimit dhe shpërndarjes së informacionit të paverifikuar, veçanërisht në rrjetet sociale. Këto dukuri cenojnë cilësinë e debatit publik dhe ndikojnë në të drejtën e qytetarëve për të marrë vendime të informuara.

Shpenzimet e fushatës dhe sponosorizimet në rrjete sociale
Vëzhgimet preliminare tregojnë se fushata është karakterizuar nga investime të konsiderueshme në organizimin e tubimeve publike, materialeve promovuese, reklamimit në media tradicionale dhe komunikimit digjital.
Rrjetet sociale kanë vazhduar të shërbejnë si një nga platformat kryesore të komunikimit politik, duke zënë një pjesë të rëndësishme të aktiviteteve promovuese të subjekteve politike dhe kandidatëve.

DnV ka monitoruar detajisht shpenzimet e subjekteve politike dhe kandidatëve gjatë periudhës zgjedhore për promovimin e aktiviteteve të tyre në rrjete sociale, kryesisht në platformën Meta. DnV poashtu do të monitorojë se si këto shpenzime priten të reflektohen në raportet financiare të subjekteve politike pas zgjedhjeve.

Janë monitoruar rreth 500 profile në rrjetet sociale, përfshirë profilet zyrtare të partive kryesore politike (LVV, PDK, LDK, AAK dhe PSD), të gjithë kandidatët e tyre, si dhe kandidatët e dy subjekteve politike nga komuniteti serb. Vetëm gjatë javës së fundit të fushatës janë evidentuar shpenzime për sponsorizim në vlerë prej mbi 100,000 euro.
Gjatë periudhës së monitorimit janë evidentuar rreth 10 mijë postime në rrjetin social Facebook. Prej tyre, afërsisht 20% kanë qenë postime të bazuara në prodhim/produksion video, çka përfaqëson një formë relativisht të re dhe më të kushtueshme të fushatës zgjedhore.

Mbi një e treta e numrit të përgjithshëm të postimeve kanë qenë të sponsorizuara, me vlera që variojnë nga 100 deri në 1,000 euro për postim.
Profili me shpenzimet më të larta për sponsorizim rezulton të jetë ai i kandidatit Uran Ismaili, me rreth 9 mijë euro. Pas tij renditen profili i subjektit politik LDK me rreth 6 mijë euro, profili i kandidatit Bedri Hamza me rreth 4 mijë euro, profili i subjektit politik LVV me rreth 4 mijë euro, profili i kandidatit Ardian Gjini me rreth 3,500 euro, si dhe profili i kandidatit Lumir Abdixhiku me rreth 3 mijë euro.

Sa i përket shpenzimeve të përgjithshme për sponsorizim, subjekti politik PDK dhe kandidatët e tij renditen të parët me rreth 33 mijë euro. Pas tyre vijnë LDK dhe kandidatët e saj me rreth 26,500 mijë euro, LVV dhe kandidatët e saj me rreth 25 mijë euro, AAK dhe kandidatët e saj me rreth 10 mijë euro. Kandidatët e subjekteve politike nga komuniteti serb kanë shënuar nivele minimale ose nuk kanë raportuar shpenzime të evidentueshme për sponsorizim gjatë periudhës së monitorimit.

Roli i mediave dhe platformave digjitale
Mediat kanë luajtur rol të rëndësishëm në informimin e publikut dhe në krijimin e hapësirës për debat politik gjatë periudhës zgjedhore. Intervistat dhe debatet televizive kanë kontribuar në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies publike. Megjithatë, në disa raste raportimi mediatik është fokusuar më shumë në retorikën politike dhe dinamikat e garës sesa në analizimin e programeve, kostove dhe politikave konkrete të propozuara nga subjektet politike. Kanë munguar përballjet dhe debatet midis kandidatëve për kryeministra.
Rrjetet sociale kanë vazhduar të luajnë rol të rëndësishëm në komunikimin politik, por njëkohësisht kanë shërbyer edhe si kanal për përhapjen e dezinformatave dhe informacionit të paverifikuar.

Administrimi i procesit zgjedhor
DnV vlerëson se institucionet zgjedhore kanë përmbushur shumicën e obligimeve të tyre në përputhje me kornizën ligjore dhe afatet e parapara.

Megjithatë, gjatë kësaj periudhe disa vendime dhe interpretime të KQZ-së kanë nxitur diskutime publike dhe dilema lidhur me shtrirjen e kompetencave të institucionit dhe interpretimin e dispozitave ligjore. Disa vendime dhe rregulla të nxjerra për këtë proces, vlerësohen se përmbajnë tejkalime të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjitshme (votimi me dokumente të vlefshme, rregulla për akreditim të vëzhguesve).

Në anën tjetër, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka luajtur rol të rëndësishëm në shqyrtimin e ankesave dhe mbikëqyrjen e zbatimit të kornizës ligjore zgjedhore. Përmes vendimmarrjes së tij, PZAP ka kontribuar në qartësimin e standardeve ligjore dhe në adresimin e rasteve të evidentuara gjatë fushatës.
Ankesat e trajtuara gjatë kësaj periudhe kanë qenë të lidhura kryesisht me përfshirjen e fëmijëve në aktivitete politike dhe përdorimin e hapësirave publike për qëllime promovimi politik.

Deri sot, PZAP ka pranuar gjithsej 19 ankesa lidhur me shkeljet e kryera gjatë fushatës zgjedhore, gjysma prej të cilave janë deponuar nga organizatat e shoqërisë civile dhe gjysma tjetër nga subjektet politike. Janë nxjerrë 19 vendime, prej të cilave 10 kanë qenë aprovuese dhe 9 refuzuese. Për shkeljet e konstatuara të Kodit të Etikës gjatë fushatës zgjedhore, PZAP ka shqiptuar deri tani 26,100 euro gjoba ndaj subjekteve politike.

Siguria e procesit zgjedhor
Nga aspekti i sigurisë, institucionet përgjegjëse, në veçanti Policia e Kosovës, kanë kontribuar në ruajtjen e një ambienti të qetë dhe të sigurt për zhvillimin e aktiviteteve zgjedhore.
Në përgjithësi, periudha parazgjedhore është zhvilluar pa incidente serioze që do të mund të cenonin ushtrimin e të drejtave politike të qytetarëve apo zhvillimin normal të procesit zgjedhor.

Në këtë kontekst, angazhimi i rreth 100 prokurorëve gjatë ditës së zgjedhjeve paraqet tregues të përkushtimit të institucioneve të drejtësisë për mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor. Ky angazhim synon të ofrojë garanci shtesë për qytetarët dhe njëkohësisht të sigurojë reagim të shpejtë dhe efektiv ndaj çdo përpjekjeje për të ndikuar, manipuluar apo dëmtuar procesin zgjedhor dhe vullnetin e votuesve.

Angazhimi i DnV-së në Ditën e Votimit
Përderisa procesi i votimit jashtë vendit, në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës, është duke u zhvilluar në mënyrë të qetë dhe të rregullt, nesër, nga ora 07:00, qytetarët e Kosovës do të kenë mundësinë të ushtrojnë të drejtën për të votuar.

DnV ka mobilizuar rrjetin e saj të vëzhguesve në mbarë vendin. Mbi 600 vëzhgues do të jenë të pranishëm në terren për të monitoruar hapjen e vendvotimeve, procesin e votimit, mbylljen e vendvotimeve dhe numërimin e votave. 500 nga ta do të jenë vëzhgues statikë në vendvotimet e përzgjedhura sipas mostrës përfaqësuese.
Gjatë ditës së zgjedhjeve, DnV do të informojë rregullisht publikun dhe mediat përmes konferencave për media, ku do të prezantohen gjetjet dhe vlerësimet nga vëzhgimi në terren.

Për vlerësimin e procesit zgjedhor, DnV do të zbatojë metodologjinë e Numërimit Paralel të Votave (PVT), e cila mbështetet në një mostër statistikisht përfaqësuese të vendvotimeve në nivel vendi dhe mundëson vlerësimin e pavarur dhe të besueshëm të procesit të votimit dhe numërimit të votave.

DnV u bën thirrje të gjitha subjekteve politike, kandidatëve dhe mbështetësve të tyre që të respektojnë rregullat zgjedhore, të shmangin çdo formë presioni ndaj votuesve dhe të kontribuojnë në ruajtjen e një atmosfere të qetë dhe demokratike gjatë ditës së votimit.

Po ashtu, pret që institucionet përgjegjëse të veprojnë në mënyrë profesionale, të paanshme dhe transparente në trajtimin e çdo ankese apo parregullsie eventuale.

DnV inkurajon qytetarët që të marrin pjesë në procesin zgjedhor dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në mënyrë të lirë, të pavarur dhe pa presion.

Në fund Dnv theksoi se Dita e votimit përbën një moment të rëndësishëm të procesit demokratik, por integriteti zgjedhor nuk matet vetëm me mënyrën se si zhvillohet votimi. Ai matet po ashtu me mënyrën se si administrohet procesi, si numërohet çdo votë dhe si garantohet që rezultati përfundimtar të pasqyrojë saktësisht vullnetin e qytetarëve.