DnV: Deri ne 12:00 dalja e votuesve 13%, problemet kryesore konsiderohen lista e votuesve dhe votimi familjar

11.06.2017

Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” po vazhdon të vëzhgojë procesin zgjedhor të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që po zhvillohet sot në tërë territorin e vendit.
Deri në orën 12:00, sipas raportimeve të vëzhguesve të DnV-së, për të votuar kanë dalë 244,647 qytetarë me të drejtë vote, përkatësisht 13 % e të gjithë votuesve me të drejtë vote.
Madhësia e trupit elektoral në këto zgjedhje sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së është 1,872,941 votues.

Parregullsitë më evidente

Parregullsitë më të shpeshta që po e përcjellin procesin e votimit në terren deri në orën 12:00 janë:
• Tentimet për të votuar më shumë se një herë (votimi i dyfishtë) me gjithsej 59 raste, në 31 vendvotime (ose në përqindje 1.24 % të Vendvotimeve). Prijnë komunat: Gjilani (14), Peja (7) dhe Skenderaj dhe Suharekë (6). 
• Votimi familjar është raportuar në 4925 raste ose në 28.5% të vendvotimeve në Kosovë. Komunat që prijnë me votime familjare janë: Dragas (160), Deçan (24), Mamusha (32). 
• Fotografimi i votës i pranishëm në të gjitha proceset zgjedhore të kaluara e ka përcjellur procesin. Edhe pse i sanksionuar me kodin penal të Kosovës, fotografimi i votës është evidentuar në 131 raste ose në 3.37% të vendvotimeve e shprehur më shumë komunat: Fushë Kosovë (12), Obiliq (8), Mamusha dhe Istogu (3)
• Raste të votimit jashtë kabinave (ose publikimit të votës) janë gjithsej 41 apo në 0.72 % të vendvotimeve, më shumë i shprehur në këto komuna Leposavic (4), Klinë (3), Obiliq, Prizren, Malishevë dhe Deçan (nga 2 raste)
• Asistimi i votuesve më shumë se një herë është vërejtur në 211 raste, apo në 0.76 % të vendvotimeve. Prijnë komunat Gjilani (12), Fushë Kosova (5) dhe Gjakova dhe Deçani (3).
• Vështirësitë për t’u identifikuar në Listën e Votuesve po e përcjellin edhe këtë proces zgjedhor. Ankesa lidhur me Listën e Votuesve janë raportuar në 1216 raste.
Incidentet dhe parregullsitë të raportuara nga terreni:

Blerje e votës: Në shkollën “Agim Ramadani”, në qendrën e votimit 0409D në fshatin Zhegër të Gjilanit disa persona janë parë në afërsi të vendvotimit duke shpërndarë material propagandistik dhe duke dhënë para për votuesit. Rasti është raportuar në Prokurori nga DnV-ja dhe Prokuroria e Shtetit është duke verifikuar informatat.

Në Fakultetin Filologjik në qendrën e votimit 1906E në disa vendvotime tek libri i kandidatëve për deputet i cili gjendet në kabinën e votimit, në libër janë gjetur kartvizita me emra nga kandidatët e koalicionit PDK-AAK-NISMA etj.

Në shkollën “Tre Dëshmorët”, në qendrën e votimit 1632A, në komunën e Rahovecit nga vëzhguesit po vërehet një numër i personave të cilët po deklarojnë rrejshëm që përfaqësojnë organizat të shoqërisë civile dhe parti politike. Ata nuk janë larguar ende nga vendvotimet.

Në shkollën “Azem Bejta”, në qendrën e votimit 2105B në komunën e Skenderaj janë vërejtur persona të paautorizuar të cilët janë larguar nga qendra e votimit, pasi që monitoruesit evropian kanë qenë të pranishëm. Këta persona të paautorizuar janë rikthyer pas largimit të monitoruesve evropian.

Në qendrën e votimit 3603D në vendvotimin 02R, në komunën e Parteshit, dy persona kanë votuar me letërnjoftim të Serbisë. Të njëjtit janë lejuar.

Shtëpia e Gjuetarëve e paraparë si qendër e votimit 2063A vendvotimi 01D, në komunën e Prizrenit nuk është hap fare edhe pse KQZ e ka pas në listë të vendvotimit.

Në shkollën “Meto Bajraktari”, në qendrën e votimit 1925E komisioner kanë lëshuar vendvotimin 02R ata kanë shkuar për të votuar pa ju interesuar procesi.

Në një shkollë në Gjakovë në qendrën e votimit 0225C vendvotimi 03R ka mbetur i mbyllur për më shumë se 20 minuta, të gjithë kanë shkuar në pauzë.

Në Sallën 1 Tetori, në qendrën e votimit 1912E vendvotimi 03R në komunën e Prishtinës ka larguar vëzhguesit nga mbrapa tavolinës së shpërndarjes fletëvotimeve, libri i nënshkrimeve dhe vules. Kjo ka ndodhur në orën 10:00 dhe nuk ka ndonjë informatë pse ka ndodh.

Në shkollën “Gjin Gazulli”, në qendrën e votimit 1918E vendvotimi 04D në komunën e Prishtinës, disa persona kanë hyrë në mënyrë të paautorizuar në vendvotim dhe kanë treguar se si duhet të veprohet.

Në shkollën “Ali Hadri”, në qendrën e votimit 2516D vendvotimi 02D në komunën e Ferizajit një person raportohet të ketë votuar 2 herë ndërsa i njëjti nuk është penguar.

Në shkollë “Hysni Zajmi”, në qendrën e votimit 0606C vendvotimi 01R në komunën e Istogut është mbyll për disa mintuta pasi që një vëzhgues ka kërkuar që të jetë asistent në votim. Ai nuk është lejuar.

 

Në shkollën fillore “Hivzi Sylejmani”, në qendrën e votimit 1322E vendvotimi 03D në komunën e Lipajnit një person (votues) ka shkarravitur në murin e shkollës numrin e partisë. 
***
DnV fton qytetarët të dalin në votime dhe kështu të bëhen pjesë e vendim-marrjes dhe krijimit të politikave që janë në funksion të përmirësimit të mirëqenies dhe jetës së tyre. 
DnV kërkon nga subjektet politike të vazhdojnë të përmbahen nga çdo veprim që mund të cënoj integritetin e procesit zgjedhor. DnV pret që institucionet e vendit do të vazhdojnë të ndërmarrin të gjitha masat e duhura për të garantuar një atmosferë të qetë dhe zgjedhje demokratike dhe të lira.