Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka mbajtur sot diskutimin publik “Kuvendi në sytë e të rinjve: Sfidat që duhet të adresohen nga legjislatura e VII-të”, pjesë e të cilit ishin deputetët e zgjedhur për herë të parë në Kuvendin e Kosovës në ballafaqim me të rinj.
Deputetët e rinj e kanë konsideruar të domosdoshme ndryshimin e qasjes politike në Kuvend dhe janë zotuar se do të instalojnë një standard të ri të funksionimit të këtij institucioni, që nuk do të jetë i karakterizuar me gjuhë denigruese, konfrontime por që do të ketë në qendër interesin qytetarë. Ata kanë theksuar se ato do të përfaqësojnë interesat qytetare dhe jo partiake dhe se do të jenë të zëshëm në kërkim të llogaridhënies nga ana e ekzekutivit.
Në hapje të këtij diskutimi, drejtori ekzekutiv i KDI-së Ismet Kryeziu, theksoi se KDI për vite të tëra është duke bërë monitorimin e punës së Kuvendit duke ndikuar edhe në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies së këtij institucioni. Gjithashtu ka bërë të ditur se KDI është angazhuar që të rris edhe pjesëmarrjen qytetare në këtë proces për çka ka angazhuar rreth 100 studentë që të përfshihen në procesin e monitorimit të këtij institucioni.
Kurse deputeti Artan Abrashi (LVV), potencoi se deputeti i kësaj legjislature ka përgjegjësi shumë të madhe për shkak se sipas tij, qytetari i Kosovës më 6 tetor ka votuar për ndryshim të vetëdijes politike. “Vullneti i qytetarëve ka të bëjë me një kërkesë për standard të ri politik…Ne si deputetë duhet të angazhohemi ta ruajmë integritetin e institucionit që përfaqësojmë”, ka thënë ai duke shtuar se Kuvendi duhet të ketë një rol më të shtuar, në mbikëqyrje të ekzekutivit dhe gjithashtu të tregohet përkushtim në respektim të pushteteve.
Deputeti Besian Mustafa (LDK), ka theksuar se është bazike për secilin deputet që të ndërtoj dhe ruaj mirëbesimin me qytetarin duke mos e sfiduar atë. Ai ka konsideruar se kjo legjislaturë duhet të funksionoj pa ngjyrime partiake dhe të fokusohet në mbikëqyrjen e ekzekutivit ashtu sic e kërkon përgjegjësia që është marrë nga qytetari. “Ne marrim mirëbesimin nga qytetarët dhe e përkthejmë në mbikëqyrjen që ua bëjmë qeverisë, si Kuvend në tërësi”, ka shtuar ndër të tjera ai duke theksuar se fusha në të cilën do të jetë më i fokusuar është ekonomia.
Deputetja Eliza Hoxha (PDK), ka theksuar nevojën për rritje të llogaridhënies ndaj qytetarëve duke vlerësuar se sistemi i ndarjes së vendit në zona zgjedhore do të mundësonte një lidhje direkte mes deputetit dhe qytetarit dhe do ta rriste llogaridhënien. Hoxha e sheh me shqetësim edhe aspektin e gjuhës dhe komunikimit publik, që shpesh ka thënë se karakterizohet me linçime të pabaza ndaj individëve të ndryshëm. “Ne mundemi të mendojmë ndryshe por duhet të dimë që për kauza të mëdha duhet të jemi bashkë”, ka shtuar ajo.
Hoxha ka theksuar se gjatë kësaj legjislature do të jetë më tepër e fokusuar në çështjet e mjedisit edhe të planifikimit urban.
Kurse deputetja Albena Reshitaj (AAK), ka vlerësuar se transparenca dhe llogaridhënia mungojnë në Qeveri dhe Kuvend dhe në të gjitha institucionet publike. Madje sipas saj duhet një vetëdijesim më i lartë qytetarë që do të kontribuonte në një kritikë më të shëndoshë që do t’i obligonte institucionet të jenë llogaridhënëse dhe transparente.
Kuvendi ka thënë se duhet ta ketë në fokus çështjen e rregullores së re të punës si dhe të jetë më transparent në procesin e plotësim-ndryshimit të ligjeve.
Reshitaj ka theksuar se gjatë këtij mandati do të jetë më tepër e fokusuar në sektorët e arsimit dhe shëndetësisë.
Deputetja Mirlinda Sopi-Krasniqi (AKR-Nisma), gjithashtu ka theksuar se deri më tani, Kuvendi është perceptuar si një arenë konfrontimesh që është shoqëruar nga një gjuhë joadekuate. Ajo ka potencuar se deputetët nuk do të duhej të kenë ndarje partiake por të jenë të fokusuar në përfaqësim të popullit dhe të punojnë në realizim të interesave të tyre.
Ajo ka theksuar se numri i madh i deputetëve të rinj përbën “një ekip të mirë” që beson se do të bëjnë një ndryshim pozitiv në Kuvend. Ndërkaq shëndetësia dhe sporti ka thënë se do të jenë pikat e saj të fokusit.
Ky diskutim u organizua në kuadër të serisë së diskutimeve “Kuvendi 2020”, si platformë bashkëbisedimi në mes përfaqësuesve politikë dhe shoqërisë civile për të rritur transparencën, llogaridhënien dhe efikasitetin e institucionit të Kuvendit.