DEKLARATË E PËRBASHKËT Integriteti politik: thirrje për një strategji rajonale kundër korrupsionit

Takime 06.03.2025

DEKLARATË E PËRBASHKËT

Integriteti politik: thirrje për një strategji rajonale kundër korrupsionit

Shkup, 27-28 shkurt 2025 – Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) – dega e Transparency International në Kosovë dhe Sekretariati i Transparency International në bashkëpunim me degët e Transparency International në Bosnjë dhe Hercegovinë, Maqedoni e Veriut, Serbi dhe Turqi organizuan një takim rajonal me anëtarët e Komunitetit Rajonal të Praktikës (RCP) në Shkup, më 27-28 shkurt 2025. Ky takim shtjelloi një sërë temash mbi integritetin politik, përfshirë praktikat e deklarimit të pasurisë dhe interesit, potencialin transformues të të dhënave të financimit politik dhe nevojën për të mbrojtur kontraktimin publik nga ndikimi i padrejtë. Ky takim mundësoi shkëmbime rajonale ndërmjet Transparency International dhe përfaqësuesve të agjencive mbikëqyrëse, mediave dhe organizatave të shoqërisë civile.

Pjesëmarrësit në takimin rajonal u pajtuan për prioritetet e mëposhtme për nismat rajonale:

  • Korniza të forta ligjore për përmirësimin e cilësisë së të dhënave mbi deklarimin e pasurisë, financat politike dhe kontraktimet publike.
  • Riorganizimi i agjencive qeveritare për të forcuar kapacitetet e tyre të brendshme në zbatimin e rregullave në lidhje me zbulimin e të dhënave nga zyrtarët publikë, partitë politike dhe bizneset që marrin kontrata nga institucionet publike.
  • Promovimi i cilësisë së të dhënave të hapura dhe ndërveprueshmërisë në tre fushat: deklarimi i pasurisë nga zyrtarët publikë, financat politike dhe kontraktimet publike.
  • Shfrytëzimi i platformave digjitale Integrity Watch (IW) për të promovuar të dhënat e hapura dhe për të bashkëpunuar me vendimmarrësit për forcimin e integritetit politik në rajon. Platformat IW do të publikohen së shpejti.

RCP është një platformë unike jo-formale e bashkëpunimit rajonal për diskutimin e çështjeve kritike që pengojnë integritetin politik në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe Turqi, si dhe një kërkim i përbashkët për strategji të reja për të shtyrë tutje mbështetjen karshi transparencës në institucionet publike dhe përdorimin e të dhënave të hapura për parandalimin e korrupsionit në sektorin publik. Ajo mbledh së bashku përfaqësues të institucioneve publike, organizatave të shoqërisë civile, media hulumtuese dhe komunitetit akademik nga Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Turqia në një përpjekje të përbashkët për të shtyrë tutje praktikën e mirë në fushën e integritetit politik në nivel rajonal përmes shkëmbimeve me njëri-tjetrin.

RCP është themeluar si pjesë e projektit “Integrity Watch in the Western Balkans and Turkey: civil society fighting corruption with political integrity data” të financuar nga BE i cili zbatohet nga degët e akredituara të Transparency International në pesë vendet e rajonit. Transparency International mbetet e përkushtuar në përpjekjet e përbashkëta drejt zbatimit të prioriteteve të miratuara, ndikimit në praktikat e mira dhe rritjes së integritetit politik në rajon, në konsultim me anëtarët e RCP-së.

Ky aktivitet financohet nga Bashkimi Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) dhe partnerëve të tij dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.