Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) gjatë analizës së Ligjit për Prokurim Publik dhe praktikave të diskualifikimit të operatorëve ekonomik nga procesi i Prokurimit Publik, ka gjetur se OSHP-amniston nga veprat penale Operatorët Ekonomik të papërgjegjshëm.
Gjetjet nga kjo analizë u bënë të ditura gjatë një konference për shtyp sot, meqërast Diana Metushi-Krasniqi nga KDI, theksoi se “Ligji për Prokurim Publik në Kosovë, Neni 99, paragrafi 2 parasheh diskualifikim deri në 12 muaj të operatorëve ekonomik nëse provohet se ata kanë ofruar dokumente të rreme apo të falsifikuara gjatë një procesi të tenderimit.
Observimet e KDI-së tregojnë që operatorët ekonomikë të cilët ofertojnë duke prezantuar dokumente të falsifikuara, kjo e klasifikuar si vepër penale me Kodin Penal të Kosovës, nga OSHP marrin ndëshkimin minimal: diskualifikimin nga procesi për 12 muaj, i njohur si Lista e Zezë e Operatorëve Ekonimikë.
OSHP ndonëse ka konstatuar falsifikimin, asnjëherë nuk nuk e ka njoftuar Prokurorin e Shtetit apo nuk ka paraqitur kallëzim penal për mashtrim dhe falsifikim, siç obligohet me Kodin Penal të Kosovës. Kjo qasje e vendim-marrjes ka bërë që Lista e Zezë e Operatorëve Ekonomik të mbetet bosh.
“Sikur OSHP të dërgonte raportet e gjetjeve të tyre në Prokurorinë e Shtetit apo në Polici, atëherë falsifikimet dhe mashtrimet e operatorëve ekonomik do të të gjykoheshin, gjë që do të ndikonte në disciplinim e tyre në një proces të rregullt tenderures”, tha tutje z. Metushi Krasniqi.
Sipas LPP, nëse një kompani, pronar, drejtues, menaxher apo drejtor, apo udhëheqës shpallen fajtorë për vepër penale apo civile, përfshirë korrupsionin, shpërlarjen e parave, dhënie të mitos e vepra të tjera të ndaluara me ligj, atëherë operatori ekonomik skualifikohet për 10 vite nga procesi i tenderimit.
Elira Tahiri, tutje theksoi që “vendimet që OSHP ka lëshuar për diskualifikim të operatorëve ekonomikë gjatë periudhës 2015-2018, kanë të bëjnë me falsifikim të autorizimeve të prodhuesit, falsifikim të katalogëve, falsifikim të certifikatës ISO, falsifikim të vërtetimit të Administratës Tatimore të Kosovës, falsifikim të vulës dhe tekstit të Noterit, falsifikim të diplomave, legalizim të përmbajtjes së rreme, etj., të gjitha këto vepra penale. Në pesë raste, operatorët janë diskualifikuar për pjesëmarrje në procese tenderimi për 6 muaj, dhe në tre raste dënimet janë 12 mujore
Duke u nisur nga këto gjetje, Elira Tahiri nga KDI kërkoi bashkëpunim dhe angazhim të menjëhershëm të Prokurorisë dhe OSHP-së për të adresuar këto raste, ndërsa nga Komisioni Rregulativ i Prokurimit Publik kërkoi të inicioj procedurat për plotësim të ligjit për prokurimin publik. Në këtë rast, KDI rekomandon që operatorët ekonomik që skualifikohen nga OSHP për veprën penale të paraqitjes së të dhënave të rreme ose dokumenteve të falsifikuar, të futen në Listën e Zezë të Operatotëve deri në vendimin e gjykatës kompetente.