Ndahen çmimet për fotografitë fituese në garën #fajikorrupsionit 2022

Konferenca për media Njoftime 09.12.2022
KDI, në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, mbajti ceremoninë e ndarjes së çmimeve për fotografitë fituese të garës fajiikorrupsionit, për vitin 2022.
Ky është viti i tetë që KDI organizon këtë garë, me qëllim që të nxisë pjesëmarrjen e publikut të gjerë në luftën kundër korrupsionit, duke i ofruar një hapësirë qytetarëve për të ndarë perspektivat e tyre për korrupsionin në formë alternative – përmes fotografive.
Ndonëse lufta kundër korrupsionit shpeshherë i atribuohet vetëm pushtetit, janë pikërisht qytetarët ata që e paguajnë çmimin e pasojave të korrupsionit – duke marrë shërbime të dobëta, duke mos pasur qasje në drejtësi, duke mos pasur punë, e mirëqenie, e duke e vuajtur pabarazinë. E fotografitë që vijnë në adresë të KDI-së çdo vit, arrijnë të kornizojnë shumë nga këto probleme që pikërisht derivojnë nga korrupsioni.
Këtë vit në fotogarë janë pranuar mbi 60 fotografi nga qytetarët, të cilat kanë shfaqur pasojat e korrupsionit në Kosovë. Fotografitë më të mira në fotogarën për vitin 2022, janë:
Vendi i parë: Driton Bublaku
Vendi i dytë : Irfan Maliqi
Vendi i tretë: Kushtrim Krasniqi
KDI falënderon të gjithë pjesëmarrësit që i janë bashkuar iniciativës për të FOTOGRAFUAR KORRUPSIONIN. Njëkohësisht, ftojmë qytetarët që t’i raportojnë rastet e korrupsionit dhe të jenë pjesë e luftës së përbashkët kundër korrupsionit.