DnV publikon Rezultatet Preliminare për Subjektet Politike për Zgjedhjet e Parakohshme Parlamentare të 28 Dhjetorit 2025

Konferenca për media 29.12.2025

Komunikata e katërt për media
Ora 20:30

 

DnV publikon Rezultatet Preliminare për Subjektet Politike për Zgjedhjet e Parakohshme Parlamentare të 28 Dhjetorit 2025

I.                Mbyllja e Vendvotimeve

Në përmbyllje të procesit të votimit, vëzhguesit nga Demokracia në Veprim (DnV) raportojnë se procesi i votimit është mbyllur në kohë në gati të gjitha vendvotimet. Në përafërsisht 10% të vendvotimeve ka pasur qytetarë që kanë pritur në rradhë për të votuar dhe që janë lejuar të votojnë.

I gjithë procesi i votimit, që nga hapja e vendvotimeve në orën 07:00 ka rrjedhur në atmosferë të qetë, me disa parregullësi kryesisht të natyrës procedurale e teknike. Votuesit patën qasje të lirë dhe të barabartë në procesin e votimit.

Pjesëmarrja në votim

DnV raporton se dalja e përgjithshme e votuesve deri në mbyllje të vendvotimeve ishte 45% me margjinë gabimi (+/- 0,76). Në këtë përqindje nuk është përfshirë dalja e votuesve që kanë votuar me kusht dhe atyre që kanë votuar nga jashtë vendit.

Rikujtojmë se dalja e votuesve në zgjedhjet e parlamentare të 9 shkurtit në intervalin e njejtë kohor ishte 44.1%, ndërsa dalja në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2021 ishte 48,78%. Të drejtë vote në këto zgjedhje në Kosovë kishin 1,999,204 qytetarë.

Parregullsitë prevalente gjatë procesit të votimit

Procesi zgjedhor gjatë gjithë ditës është përcjellë me disa parregullsi dhe shkelje kryesisht të natyrës procedurale. Është raportuar për ndërprerje të energjisë elektrike në disa qendra të votimit, por nuk ka pasur incidente serioze, që do të mund të cenonin integritetin e zgjedhjeve.

Ashtu siç edhe është raportuar në intervalet tjera gjatë ditës, problematika kyçe që e ka karakterizuar procesin e votimit lidhet me vështirësitë e votuesve për të gjetur vendvotimin e saktë, përkundër që atyre u ishte ofruar mundësia nga KQZ, që përmes linkut t’a konfirmojnë Qendrën e tyre të votimit. Kështu, që nga hapja e vendvotimeve në orën 07:00, vështirësi me lokalizimin e vendvotimit të saktë janë raportuar në pothuajse 2/3-tat e vendvotimeve, ndërsa në 20% të vendvotimeve numri i rasteve të tilla ka arritur deri në 30.

 

Zbatimi i rregullës që lejon votimin me asistencë vetëm në rastet kur prezantohet dokumenti mjekësor ka bërë që fenomeni i votimit me asistencë të bie ndjeshëm krahasuar me proceset e kaluara zgjedhore. Përgjatë 12 orëve të procesit të votimit, më pak se 1% të votuesve kanë votuar me asistencë. Raste kur asistenca nuk ishte regjistruar sipas rregullave, është hasur në 11% të vendvotimeve, deri në 10 raste.

Deri në orën 19:00, në mbi 30% të vendvotimeve është hasur votim me dokumente me afat të skaduar (deri në 10 raste) ndërsa numri i rasteve kur është fotografuar fletëvotimi është 32 përgjatë gjithë ditës.

 

***REZULTATET PRELIMINARE***

Lëvizja Vetëvendosje – LVV                                                 48,01% (Margjina e gabimit +/-1,64%)

Partia Demokratike e Kosovës – PDK                       20,84% (Margjina e gabimit +/-1,38%)

Lidhja Demokratike e Kosovës – LDK                      13,49% (Margjina e gabimit +/-0.82%)

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – AAK               5,73% (Margjina e gabimit +/-0.83%)

NISMA Socialdemokrate                                           1,70% (Margjina e gabimit +/-0,55%)

Srpska Lista – SL                                                        5,55% (Margjina e gabimit +/-1,81%)

Za Slobodu, Pravdu i Opstanak – SPO                       0,95% (Margjina e gabimit +/-0,53%)

 

**Në rezultatet preliminare nuk janë të përfshira votat nga jashtë dhe votat me kusht

**Pragu zgjedhor prej 5% aplikohet për subjektet politike që nuk garojnë për vendet e rezervuara

**Margjina e gabimit është për rezultatet e secilit subjekt politik

**Rezultati nga procesimi i 85% të të dhënave.

 

DnV rikujton se pas përfundimit të numërimit të votave për subjektet politike, kutitë e votimit do të dërgohen në Qendrat Komunale të Numërimit, në përcjellje të Policisë së Kosovës. Nga mëngjesi i nesërm, kutitë do të rihapen dhe do të fillojë procesi i verifikimit të votave të subjekteve politike e pastaj i numërimit të votave për kandidatët e subjekteve politike.

DnV kërkon nga subjektet politike të përmbahen nga festimet e parakohshme dhe të presin shpalljen e rezultateve preliminare nga KQZ në mënyrë që procesi të përmbyllet në atmosferë të qetë dhe demokratike, sikurse ishte gjatë gjithë ditës.

 

***

Demokracia në Veprim (DnV) është koalicioni vendor i organizatave jo-qeveritare kosovare për vëzhgimin e zgjedhjeve. Ky koalicion ka vëzhguar të gjitha proceset zgjedhore që nga 2007. Për  vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 Dhjetorit, DnV do të bazohet në metodologjinë e Numërimit Paralel të Votave (e njohur si PVT). Kjo metodë e bazuar në parime statistikore mundëson vlerësimin e procesit të votimit në ditën e zgjedhjeve, përfshirë edhe procesin e numërimit. PVT aplikohet në një mostër përfaqësuese të rastësishme të vendvotimeve, që do të thotë që rezultatet e marra në këtë mënyrë janë të aplikueshme në nivel vendi. Për ditën e zgjedhjeve, DnV ka akredituar 500 vëzhgues statikë të cilët po mbështeten nga 50 ekipe mobile dhe dhjetëra vullnetarë në Qendrën e Thirrjeve..