KDI organizoi sot tryezën e diskutimit “REFORMA NË DREJTËSI: ROLI I KUVENDIT TË KOSOVË?”.
Në hapjen e tryezës, drejtori ekzekutiv Ismet Kryeziu, shpjegoi rëndësinë e reformimit të sistemit të drejtësisë dhe domosdoshmërinë që kjo reformë të zhvillohet në një frymë konsensuale, ndërmjet partive politike, institucioneve të drejtësisë dhe shoqërisë civile.
Në fillim të diskutimit Violeta Haxholli nga KDI prezantoi analizën “Reforma në Drejtësi: Në kërkim të konsensusit”, duke vënë theksin në rolin dhe kapacitetet e Kuvendit për të udhëhequr procesin ligjvënës lidhur me reformën në drejtësi. Analiza argumenton që Kuvendit do ti duhet mbështetje e mirëfilltë me kapacitete profesionale dhe buxhetore për të adresuar këto reforma të cilat, duhet të përfshijnë të gjitha palët, posaçërisht institucionet e drejtësisë.
Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosjes, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni vlerësoi lartë rëndësinë e një konsensusi të gjërë parlamentar. Kryeziu-Hyseni, derisa listoi një numër iniciativash ligjore të hartuara përgjatë vitit 2022, pohoi se Vettingu duhet të jetë gjithëpërshirës – që nuk kufizohet vetëm në institucionet e drejtësisë. Ai duhet të synojë ndërtimin e një sistemi të drejtë, të pavarur, të përgjegjshëm. Deputetja nga LV, gjykoi pozitivisht fillimin e procesit të Vettingut, duke vlerësuar faktin se pronësia mbi këtë proces ka kaluar tek Kuvendi, derisa edhe Komisionin Ad-hoc e drejton opozita.
Deputetja, Blerta Deliu, përfaqësuese e PDK-së në Komisionin Ad-hoc për Veting, deklaroi se fjala konsensus ka qenë e panjohur përgjatë viteve të fundit në jetën parlamentare – duke bartur përgjegjësinë për këtë tek partia në pushtet. Por ajo theksoi disa raste, kur opozita ka vepruar në drejtim të arritjes së një konsensusi, duke marrë pjesë në iniciativat për Reformë Zgjedhore, në miratimin e Rregullores së Kuvendit dhe në Komisionin Ad-hoc për Vetting. Për më tepër, deputetja e PDK-së, kritikoi polarizimin në mes Qeverisë dhe institucioneve tjera të drejtësisë.
Ndërsa deputetja Doarsa Kica Xhelili ishte e mendimit se reforma tanimë është e vonshme – dhe rezultat i një drejtësie që ka këtë e ka calime serioze. Kica-Xhelili, duke shpjeguar votimin kundër Projektligjit të Byrosë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, pohoi se roli i Kuvendit duhet të jetë mbrojta e kushtetushmërisë se ligjeve që vinë në Kuvend. Më tutje, reforma duhet të dekonspirohet në përmbajtje dhe të kuptohet drejtë kompleksiteti i zbatimit të saj. Ligji për Byronë, nuk i shërben ndjekjes së oligarkëve, as ndjekes së korrupsionit të lartë, për të cilën është folur dhe premtuar.
Deputeti nga radhët e AAK-së, Besnik Tahiri, njëherit edhe anëtari i Komisionit Ad-hoc gjykoi se reformimi nga kjo Qeveri është më tepër deformim i sistemit ekzistues. Ai më tutje shtoi, se tek ky ekzekutiv ka munguar vullneti politik për jetësimin e këtyre reformave në praktikë. Ai theksoi se pa ndryshime kushtetuese nuk mund të flasim për një Veting të vërtetë.
Ndërsa ky diskutim u realizua në kuadër të projektit “Zgjerimi i hapësirë qytetare për reformat e ardhshme në drejtësi” i përkrahur nga Ambasada Holandeze në Kosovë.