Një delegacion i përbërë nga katër deputetë të Kuvendit të
Kosovës, njëkohësisht anëtarë të Komisionit parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere, si dhe përfaqësues të Institutit Demokratik të Kosovës, kanë zhvilluar një vizitë studimore katër-ditore në Republikën e Çekisë – ku janë njohur nga afër me mënyrën e rregullimit të çështjes së financimit të subjekteve politike nga pala çeke.
Fillimisht, në bashkëpunim me
Transparency International ?R, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë zhvilluar një diskutim publik në Pragë, ku ofruan pikëpamjet e tyre lidhur me situatën e përgjithshme politike në Kosovë, çështjen e financimit të subjekteve politike në Kosovë, raportet mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Çekisë – përkatësisht nevojës për intensifikimin e tyre, si dhe luftës në Ukrainë dhe ndikimit të saj në Kosovë dhe më gjerë.
Tutje, deputetët e Kuvendit dhe përfaqësuesit e KDI-së mbajtën një tryezë dhe diskutim të brendshëm me parnterët e TI-?R. Gjatë këtij aktiviteti, deputetët diskutuan lidhur me përmbajtjen e projektligjit për plotësim-ndryshimin e ligjit për financimin e subjekteve politike, duke përfshirë aspekte si kompetencat e Zyrës brenda KQZ-së, xhirollogaritë bankare të subjekteve politike, donacionet dhe kontributetet ndaj subjekteve politike, Fondit për mbështetjen e subjekteve politike, e të tjera. Në anën tjetër, TI-?R dhe organizata tjera nga Republika Çeke ofruan rekomandimet e tyre lidhur me këto çështje, duke u bazuar në praktikat dhe përvojën e Çekisë lidhur me rregullimin e financimit të subjekteve politike. Deputetët zhvilluan edhe një vizitë në Parlamentin e Republikës së Çekisë. Së pari, delegacioni i deputetëve zhvilloi një takim me
Vladimír Balaš – deputet i Parlamentit të Çekisë, i cili është duke përgatitur projektligjin e ri që do të adresojë disa prej problematikave kryesore lidhur me çështjen e financimit politik atje. Deputetët e dy parlamenteve shkëmbyen pikëvështrimet lidhur me çështjen e barazisë në financim, ndikimin e financimit nga vendet e jashtme në sigurinë kombëtare si dhe financimin nga kompanitë private dhe korporatat. Deputetët e Kuvendit të Kosovës patën mundësi që gjatë vizitës në parlamentin çek, të ndjekin nga afër seancën plenare që po zhvillohej – gjegjësisht sesionin e pyetjeve parlamentare.
Gjatë qëndrimit në Pragë, delegacioni i deputetëve dhe përfaqësuesit e KDI-së zhvilluan një takim me Ambasadoren e Republikës së Kosovës në Çeki, Sh.T.Znj. Albesjana Iberhysaj Kapitaj. Në këtë takim u diskutua për raportet mes dy shteteve, nevojën për intensifikimin e tyre si dhe zgjerimin e sferave të bashkëpunimit formal edhe tek komuniteti kosovar i bizneseve dhe studentëve në Çeki. Në vazhdën e akviteteve të kësaj vizite studimore, deputetët zhvilluan një vizitë në Pallatin ?ernín, ku zhvillon aktivitetin e saj Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Çekisë. Delegacioni i deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe përfaqësuesit e KDI-së u pritën nga zëvendës Ministri i Punëve të Jashtme të Çekisë, z.
Martin Dvo?ák, me të cilin u zhvilluan diskutime lidhur me çështjet e interesit të përbashkët mes dy vendeve.
Kjo vizitë studimore e deputetëve të Kuvendit të Kosovës është e një rëndësie të veçantë, duke marrë parasysh që tashmë Kuvendi e ka në shqyrtim parlamentar mes dy leximeve projektligjin për plotësim-ndryshimin e ligjit për financimin e subjekteve politike. KDI pret nga delegacioni i deputetëve, që janë gjithashtu anëtarë të grupit punues lidhur me projektligjin për financimin e subjekteve politike, që t’i shqyrtojë dhe t’i marrë parasysh rekomandimet e KDI-së dhe praktikat e Çekisë lidhur me këtë projektligj. KDI beson që vetëm përmes financave plotësisht transparente të subjekteve politike, mund të kemi qeverisje transparente e llogaridhënëse.
*Kjo vizitë u zhvillua në kuadër të projektit “Rritja e transparencës së financimit të subjekteve politike në Kosovë” i cili zbatohet nga Instituti Demokratik i Kosovës dhe Transparency International – Czech Republic, si dhe financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Çekisë /
Ministry of Foreign Affairs of the Czech Republic nën programin e Promovimit të Tranzicionit.