Prishtinë, 4 maj 2011 – Instituti Demokratik i Kosovës ka organizuar një tryezë të rrumbullakët me temën: ?Legjislatura e IV-të – Çfarë të reja solli??, ku deputetët e rinj të Kuvendit kanë paraqitur punën dhe planet e tyre në këtë legjislaturë. KDI me këtë rast ka publikuar një Punim që përfshin të dhënat biografike të deputetëve të Legjislaturës së IV si dhe strukturën politike, etnike, gjeografike, gjinore dhe profesionale të kësaj legjislature. Pjesëmarrësit kanë vlerësuar se në përbërjen e re ka shumë deputetë të rinj dhe rrjedhimisht është rritur dinamika e punës. Ndërkohë kishte vlerësime se megjithatë nuk është bërë mjaft punë në këta muajt e parë.
Driton Selmanaj nga KDI ka prezantuar para të pranishmëve punimin e KDI-së, duke potencuar se në këtë përbërje të legjislativit, më tepër se 2/3 apo 83 deputetë janë për herë të parë përfaqësues të zgjedhur në Kuvendin e Kosovës. Ndërrimi kaq i madh i strukturës përfaqësuese, me të drejt shton edhe pritjet e qytetarëve për një frymë të re të jetës parlamentare?, ka thënë Selmanaj.
Panelisti Berat Buzhala, deputet i ri nga Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se përqindja e lartë e deputetëve edhe në moshë të re vjen si pasojë e rritjes së ndërgjegjes së liderëve. Ai ka thënë se nga deputetët e rinj pritet të bëjnë çdo gjë që nuk kanë bërë të vjetrit.
?Ne si deputetë të rinj duhet të kujdesemi për kategoritë e rrezikuara, si homoseksualët, minoritetet, personat me aftësi të kufizuar, etj?, ka thënë Buzhala.
Panelisti tjetër, Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thënë se zgjedhjet e fundit kanë pasur prurje kualitative në përgjithësi. Sipas tij, nëse bëhet një analizë e punës së deritashme, ka pasur rritje të efikasitetit të punës në Kuvend. ?Tani ka më shumë diskutime, më shumë debate të gjata për tema të ndryshme që ngritën në Kuvend?, ka thënë Gashi.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, panelistja Alma Lama ka përmendur anët pozitive dhe negative të përbërjes së re të kësaj legjislature. Ajo ka thënë se mungesa e përvojës konsiderohet si negative. ?83 deputetët e rinj kanë anët pozitive sepse ka një frymë dhe dinamikë të re. Një anë shumë negative është se në këtë legjislaturë ka disa deputetë që janë nën hetime?, ka thënë Lama.
Ndërkohë, më shumë kritik është paraqitur panelisti i radhës, gazetari i Kohës Ditore, Agron Halitaj, i cili ka vlerësuar se deri më tani, kjo legjislaturë nuk ka treguar shumë punë. Për më tepër ai ka thënë se deputetët e rinj vijnë nga një palë zgjedhje me shumë parregullësi. Ai ka thënë po ashtu se në këtë legjislaturë ka mazhorancë të brishtë dhe opozitë të pa strukturuar.
?Kjo strukturë, më shumë është zhurmuese sesa është punuar. Deri më tani kemi vetëm një ligj të miratuar dhe pesë të tjerë në procedurë?, ka thënë Halitaj, i cili përcjell punën e Kuvendit për disa vite.
Deputeti i Koalicionit për Kosovën e Re, Amir Ahmeti ndërkohë ka kërkuar që deputetët e rinj të jenë deputet dhe përfaqësues të votuesve të tyre.
Në debat janë diskutuar edhe tema të tjera që kryesisht kanë të bëjnë me përfaqësimin sa më të mirë të qytetarëve në Kuvendin e Kosovës.