Prishtinë, 13 prill 2010 – Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka prezantuar Raportin mujor të monitorimit të Kuvendit të Kosovës për muajin mars 2010.
Raporti paraqet punën e Kuvendit të Kosovës gjatë muajit mars ku është vlerësuar se ky institucion edhe më tutje po vazhdon të përballet me probleme të natyrave të ndryshme qoftë teknike qoftë procedurale të cilat po ndikojnë në kryerjen e punëve në mënyrë efikase nga ana e institucionit më të lartë përfaqësues të vendit.
Duke prezantuar këtë raport përfaqësuesi e KDI- Driton Selmanaj ka vlerësuar se Kuvendi, ndonëse luan rolin e përfaqësimit të interesave qytetarëve të Kosovës, në rastet kur vjen çështja e për të cilat duhet të marrë vendime të rëndësishme heziton me këtë edhe nuk po e dëshmon fuqinë dhe integritetin të cilën me Kushtetutë e ka të garantuar si institucion më i lartë i vendit.
?Kuvendi i Kosovës në Programin e tij të punës, në tremujorin e parë të vitit 2010 kishte paraparë shqyrtimin e 15 projektligjeve dhe dy raporteve, por deri më tani janë shqyrtuar vetëm dhjetë projektligje, ndërsa pesë nuk janë marrë fare në shqyrtim, pasi nuk janë dërguar nga Qeveria e Kosovës?. Sipas Selmanajt disa nga projektligjet qe nuk janë proceduar janë shumë të rëndësishme si: Projektligji për pagat e funksionarëve të lartë publik, Projektligji për RTK-në etj. Andaj Programi i Punës së Kuvendit të Kosovës nga KDI-së është vlerësuar si tejet ambicioz dhe voluminoz, për faktin se në të parashihen që të shqyrtohen dhe miratohen gjatë vitit 2010 afër 134 projektligje dhe njëmbëdhjetë raporte.
Shqetësim tjetër për KDI, thuhet në raport paraqet Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, i cili edhe pse është themeluar qe gjashtë muaj ende nuk i ka të qarta kompetencat dhe përgjegjësit që i takojnë. Kjo ka sjellë probleme shumë serioze në mbarëvajtjen e mbledhjeve të këtij Komisioni.
Raporti po ashtu vë në pah edhe vonesën e Kuvendit të Kosovës në zbatimin PVPE-së (Planit të veprimit për partneritet Evropian) të Kuvendit të Kosovës në periudhën janar-mars 2010, ku shumë nga aktivitetet dhe detyrat e parapara nuk janë realizuar.
Sipas KDI-së, mospublikimi i votave elektronike, vonesat e procedimit të projektligjeve nga ana e Qeverisë së Kosovës, mospublikimi me kohë i procesverbaleve të mbledhjeve të kryesisë dhe komisioneve parlamentare janë probleme të cilat po ndikojn në rritjen e mungesës së transparencës dhe uljen e efikasitetit të punës së Kuvendit të Kosovës.