Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) organizoi sot tryezën e diskutimit “Raportet Kosovë-Serbi: Tabelat e veturave dhe një dialog që nuk po lëvizë!”. Në këtë konferencë të ftuar ishin përfaqësues të shoqërisë civile, përfaqësues të institucioneve, të misioneve diplomatike në Kosovë dhe medias.
Në hapjen e tryezës, drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës, z.Ismet Kryeziu, foli fillimisht për aktivitetet e KDI-së në monitorimin e procesit të dialogut dhe theksoi nevojën e angazhimit të shoqërisë civile për të ndikuar në rritjen e kualitetit të këtij procesi.
Në anën tjetër z.Demush Shasha, drejtor ekzekutiv i Institutit Epik, i ftuar si panelist në këtë tryezë vuri theksin tek faktorët e jashtëm dhe zhvillimet ndërkombëtare që ndikojnë në dialogun Kosovë – Serbi. Ndërsa shtoi se ka paqartësi në atë se çfarë do të përfitojnë palët nga progresi në dialog prandaj edhe nuk ka incentivë tek palët për përkushtim ndaj këtij procesi. Në këtë drejtim është Serbia ajo që më shumë ka zvarritur përparimin në procesin e dialogut pikërisht në mungesë të incentivave të qarta për të ecur përpara në këtë proces.
Kurse, z.Dukagjin Gorani, analist politik, po ashtu panelist në këtë tryeze, tha se dialogu është një proces i pashmangshëm, që ka sjellë disa përgjegjësi dhe obligime që shteti i Kosovës i ka marrë përsipër. Më tutje ai shtoi që procesi i dialogut nuk duhet të shihet si imponim ndërkombëtar dhe të dyja palët edhe Kosova dhe Serbia duhet të jenë konstruktive dhe kreative në gjetjen e zgjidhjes sepse është në të mirë të të dyja palëve. Ai më tutje shtoi se dialogu është i rëndësishëm edhe për garantimin e integrimit të qëndrueshëm të komunitetit serb që jetojnë në Kosovë dhe kohezionin social e bashkëjetesën ndëretnike.
Në anën tjetër, Violeta Haxholli nga KDI, ofroi një përmbledhje të shkurtër të zhvillimeve aktuale në dialog me theks të veçantë në mungesën e progresit në arritjen e dakordimeve për tema si tabelat e veturave, energjia dhe çështja e të pagjeturve. Ndërsa, tha se palët nuk i kanë filluar ende diskutimet mbi marrëveshjen finale kurse nuk kanë ende pajtueshmëri se cili duhet të jetë epilogu i dialogut.
Në diskutimin e hapur mes të pranishmeve në këtë tryezë, u theksua që Kosova duhet ta dëshmojë veten si shtet serioz duke iu qëndruar prapa obligimeve të cilat i ka ndërmarrë dhe të artikulojë qartë qëllimet të cilat dëshiron ti arrijë në politiken e jashtme dhe në dialog. Në fund, u theksua nevoja e zhvillimit të një dialogu të brendshëm si me komunitetin serb ashtu edhe me spektrin politik, shoqërinë civile dhe akademinë në mënyrë që të arrihet konsensusi dhe pajtueshmëria e brendshme lidhur kërkesat por edhe obligimet që dalin nga procesi i dialogut.