Kosova është duke u ballafaquar me një krizë ekonomike, e cila përgjithësisht e reflekton krizën ekonomike globale. Rritja e çmimeve, fillimisht të energjisë e së fundmi të naftës dhe pothuajse të gjitha produkteve esenciale ka vështirësuar situatën socio-ekonomike të qytetarëve. Madje, në disa raste, çmimet janë rritur përtej ndikimit real që kriza ekonomike ka pasur në produkte të caktuara, duke shkaktuar panik tek qytetarët.
Në një situatë të tillë, përkundër disa propozimeve që janë bërë publike nga akterë të ndryshëm, përfshirë partitë opozitare, në Kuvendin e Kosovës ende nuk ka pasur debat në nivel politikash, as iniciativa konkrete ligjore lidhur me këtë çështje.
Kuvendi i Kosovës, në këtë periudhë krize për vendin do të duhej të luante një rol proaktiv në përmbushjen e obligimeve kushtetuese që ka, duke shtyrë përpara politika që përmirësojnë gjendjen ekonomike të qytetarëve, pas rritjes enorme të çmimeve.
KDI i bën thirrje Kuvendit të Kosovës që sa më parë të mblidhet për të ofruar zgjidhje konkrete për të adresuar nevojat e qytetarëve dhe për të kontribuar në përmirësimin e situatës aktuale socio-ekonomike.