KDI DHE OJQ-TË PARTNERE KËRKOJNË NGA QEVERIA DHE KOMUNAT PRIZREN, SUHAREKË, FERIZAJ, LIPJAN, PODUJEVË DHE ISTOG PËRKUSHTIM PËR ADRESIMIN E PROBLEMEVE SISTEMATIKE TË IDENTIFIKUARA NGA ZYRA KOMBËTARE E AUDITIMIT

Konferenca për media 11.08.2020

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), dhe OJQ-të partnere YAHR, ISDY, Syri i Vizionit dhe Ekovizioni, në kuadër të aktivitetit të USAID Komuna transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse, përmes një konference për media shpalosën sfidat të cilat po ndikojnë në mos zbatimin e rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit në gjashtë komunat vijuese: Prizren, Suharekë, Ferizaj, Lipjan, Podujevë dhe Istog.

Duke iu referuar raporteve të Auditorit të përgjithshëm për këto 6 komuna për periudhën 2015 – 2018, koalicioni i OJQ-ve kishte gjetur se rreth 33 çështje që lidhen me menaxhimin financiar janë duke u përsëritur nga viti në vit.Çështjet që theksohen vazhdimisht janë ato që ndërlidhen me planifikimin dhe menaxhimin e të hyrave vetanake, problemet në raportimet financiare, probleme në menaxhimin e pronave, pagesat përmes përmbarueseve të cilat përfundimisht pasqyrohen si keq-klasifikime te shpenzimeve në raportet/pasqyrat financiare, si dhe punësimet përmes kontratës mbi vepër në komuna.

Ajo që vlen të theksohet është rënia e gjetjeve të auditorit lidhur me zhvillimin e procedurave të prokurimit publik, me ç’ rast problem sistematik në këtë aktivitet qeverisës mbeten menaxhimi i kontratave.

Me qëllim të identifikimit të shkaktarëve të përsëritjes sistematike të këtyre gjetjeve, koalicioni i organizatave, në bashkëpunim me përfaqësuesit e komunave të Prizrenit, Suharekës, Ferizajt, Lipjanit, Podujevës dhe Istogut, kishin bërë një analizë të përbashkët të burimit të problemit. Sipas kësaj analize, shkaktarët e përbashkët që ndikojnë në zbatimin e ulët të rekomandimeve të auditorit të përgjithshëm janë:

1. Mungesat e evidencave të plota të pronave (duke përfshirë edhe kategorizimin e drejtë të tyre në regjistrin kadastral), si dhe pronat e uzurpuara, kanë ndikim direkt në realizimin e të hyrave komunale, raportet financiare dhe menaxhimin e pronave në komunë. Këtij problem i shtohet edhenumri i limituar i burimeve njerëzore për të përfunduar verifikimin fizik të të gjitha pronave në komunë.

2. Planifikimjo të mire i të hyrave vetanake.

3. Përditësimi i Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale dhe ligjeve të nivelit qendror si dhe marrëveshjet e nivelit qendror (si kontratat kolektive).Shqetësimi lidhur me mos harmonizimin e ligjeve ishe ngritur edhe në raportin vjetor të performancës të Zyrës Kombëtare të Auditimit, të datës prill 2020;

4. Mungesa e sistemeve të centralizuara për menaxhimin e dokumentacionit komunal, të cilat kishin rezultuar në vonesa në procesimin e faturave të pranuara nga komunat;

5. Vonesat e trajtimit të lëndëve nga Organi Shqyrtues i Prokurimit që rezultojnë në vonesa në realizimin e buxhetit për investime kapitale;

6. Mungesa e dispozitave ligjore për të trajtuar në mënyrë më të detajuar çmimet jo-normalisht të ulëta, të cilat po ndikojnë në realizimin e kontratave publike, si analiza e kostos dhe tregut, dhe jo vetëm në bazimin e një konfirmimi nga Operatori Ekonomik se mund të realizoj kontratën me çmimet e ofertuara;

7. Ndërrimi i shpeshtë i personelit udhëheqës, mungesa e kapaciteteve njerëzore të cilat kanë ndikim direkt në secilën nga çështjet e përsëritura në komunat e analizuara.

Koalicioni i organizatave për monitorimin e prokurimit publik i bën thirrje qeverisë të nivelit qendror dhe komunave tëfokusohen në përmirësimin e menaxhimit të financave publike, përmes përmbushjes së rekomandimeve si në vijim:

1. Komunat të hartojnë plane të realizueshme konform kapaciteteve të tyre, për përfundimin e verifikimit të pronave dhe përditësimin e kadastrave;

2. Kryetari i Komunës të fokusohen në krijimin e sisteme për qeverisje të mirë dhe rrisë masat e llogaridhënies dhe përgjegjësisë së udhëheqësve të departamenteve dhe njësive përkatëse;

3. Ministria e Pushtetit Lokal të angazhohet në azhurnimin e Ligjit për Vetëqeverisjen lokale konform ligjeve të nivelit qendror, të cilat rregullojnë aktivitetet në nivel kombëtar;

4. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal të ndihmojë komunat në hartimin e rregulloreve të brendshme dhe planeve të punës për planifikim, monitorim dhe raportim të aktiviteteve, si dhe mjeteve për kontroll të dokumentacionit.

5. Ministria e Financave, në përputhje me Ligjin nr. 03/L-040, Neni 18,3 të shqyrtoj kontratat kolektive dhe të bëjë ndarjet adekuate buxhetore për komunat, në mënyrë që të evitohen vonesat në pagesa, gjobat nga përmbarimi dhe keq klasifikimi i shpenzimeve komunale;

6. Organi Shqyrtues i prokurimit të përditësoj rregulloret për të drejtat e ankesave, afatet dhe vendimet përfundimtare, që të evitohen problemet lidhur me vonesat në realizimin e investimeve kapitale dhe realizimin e buxheteve komunale;

7. Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik të përditësoj rregullat dhe udhëzimet për vlerësimin dhe dëshmitë për çmimin jo normalisht të ulët;

Kjo analizë është zhvilluar nga KDI, ISDY, YAHR, Syri i Vizionit dhe Ekovizioni përmes grantit nga aktiviteti i USAID për Komuna Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse (USAID TEAM).