Pas publikimit të dosjes së përgjimeve telefonike nga Insajderi, KDI i bën thirrje Prokurorisë së Shtetit që të ndërmerr të gjitha veprimet ligjore për hetimin dhe gjetjen e provave tjera në lidhje me rastet që përmenden nga bisedat e përgjuara, e për ata që gjenden prova të përgjigjen para ligjit.
Në dosjen e re të publikuar nga gazeta online Insajderi janë publikuar përgjime telefonike të zyrtarëve të lartë shtetëror ku bëhen të ditura marrëveshjet e tyre për çështje nga më të zakonshmet deri te ato që mund të konsiderohen ndërhyrje në integritetin e drejtësisë apo cenim të pavarësisë së institucioneve të pavarura. Në këto përgjime dëgjohen biseda edhe për punësim të njerëzve partiak brenda institucioneve të vendit dhe përpjekjet për të anashkaluar procedurat e rekrutimit.
Problematike mbetet neglizhenca e prokurorëve kur vije te hetimi i mëtutjeshëm i këtyre njerëzve të pushtetshëm. Pas publikimit të këtyre materialeve asnjë nga prokurorët vendor nuk ka reaguar në marrjen e masave në lidhje me personat e implikuar. Nga copëzat e bisedave të tansmetuara dallohen qartë se ka element të veprave penale të kryera nga këta zyrtar shtetëror.
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) si degë e Transparency International, beson në një Kosovë ku qeveria, bizneset, shoqëria civile dhe jeta e përditshme e qytetarëve janë të lira nga korrupsioni.