Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka publikuar sot të gjeturat kryesore të sondazhit të nëntë të opinionit publik “Këndvështrimi i qytetarëve për temat potenciale të marrëveshjes përfundimtare Kosovë – Serbi”.
Ky sondazh shpalos këndvështrimin qytetarë lidhur me çështjet kryesore rreth së ardhmes së procesit të dialogut siç janë: taksa 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, teza e korrigjimit të kufijve, Asociacioni i komunave me shumicë serbe si dhe temat potenciale që qytetarët presin të jenë pjesë e procesit të dialogut Kosovë – Serbi.
Aktualisht Kosova ndodhet para krijimit të institucioneve të reja qeverisëse dhe çështja e taksës do të jetë një ndër temat të cilat mbeten të ndërlidhura me procesin e dialogut, për shkak të kushtëzimit të vazhdimit të këtij procesi me heqjen e taksës nga ana e Serbisë. Lidhur me çështjen nëse Qeveria duhet të pezullojë këtë masë për t’i hapur rrugë dialogut me Serbinë, shumica e qytetarëve përkatësisht 59% e tyre kanë vlerësuar se Qeveria e ardhshme nuk duhet të pezullojë taksën për t’i hapur rrugë dialogut me Serbinë. Sipas përkatësisë etnike këtë mendim e ndajnë 61% e të anketuarëve nga komuniteti shqiptar, 56% e të anketuarëve nga komunitetet e tjera jo shumicë dhe 10% e të anketuarëve nga komuniteti serb.
Idea e ‘korrigjimit të kufijve’ e shpalosur në opinion nga Presidenti Thaçi në vitin 2017, pati interpretime të shumta se çfarë do të thotë kjo tezë dhe cilat do të mund të ishin implikimet e saj. Në shumësinë e interpretimeve, nevoja për qartësimin e kësaj teze mbetet evidente. Në bazë të këtij hulumtimi të opinionit publik, del në pah se rreth 45% e të anketuarëve janë shprehur se e kanë të qartë se çfarë nënkupton teza “korrigjim i kufijve”. Ndërsa, 31% e tyre e kanë deri diku të qartë dhe 20% të anketuarëve nuk e kanë të paqartë se çfarë nënkupton kjo tezë. Sipas përkatësisë etnike, këtë nocion e kanë të qartë 47% e të anketuarëve nga komuniteti shqiptar, 20% e të anketuarëve nga komuniteti serb dhe 23% e të anketuarëve nga komunitetet e tjera jo shumicë.
Temë e cila pati interpretime të ndryshme rreth formatit të saj dhe implikimeve të mundshme në funksionimin e shtetit të Kosovës, duke shkaktuar gjithashtu polarizim politik në vend, ishte dhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Në këtë hulumtim, del në pah se sa e kuptojnë qytetarët se çfarë nënkuptohet me ‘Asociacion i komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive’. Janë 39% e qytetarëve të cilët janë shprehur se e kanë të qartë se çfarë nënkuptohet me “Asociacion i komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive”. Ndërsa, 29% e tyre janë deklaruar se e kanë të paqartë dhe 27% e tyre janë shprehur se e kanë deri diku të qartë. Në baza etnike, në nivel më të lartë qytetarët nga komuniteti shqiptar me 41% e kanë të qartë çfarë nënkuptohet me “Asociacion i komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive”, kundrejt 26% të qytetarëve nga komunteti serb dhe 17% e qytetarëve nga komunitetet e tjera jo shumicë.
Aktualisht procesi i dialogut vazhdon të mbetet i pezulluar dhe e ardhmja e këtij procesi mbetet e paqartë. Ende nuk dihen temat të cilat do të diskutohen në kuadër të këtij procesi dhe të cilat do të mund të jenë pjesë e një marrëveshjeje potenciale gjithpërfshirëse ligjërisht të obligueshme në mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas qytetarëve të anketuar, disa nga elementet më të rëndësishme që sipas tyre duhet të përfshijë marrëveshja Kosovë – Serbi janë të pagjeturit (71%), dënimet për krime të luftës (60%), dëmshpërblimet e luftës (59%) dhe kërkimfalja (56%), kthimin e fondit (41%) dhe me 38% është vlerësuar njohja reciproke. Megjithatë, janë shpërfaqur dallime në mes qytetarëve nga komunitetet e ndryshme lidhur me elementet që duhet të përmbajë marrëveshja Kosovë – Serbi.
Raportin e plotë mund ta shkarkoni këtu.
Ky hulumtim i opinionin publik është realizuar në periudhën kohore 02 – 08 shtator 2019, me një mostër përfaqësuese prej 1070 respondentësh në nivel vendi, nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. Margjina e gabimit ±3% në përzgjedhje për interval të konfidencës 95%.
Ky hulumtim i opinionit publik është realizuar në kuadër të projektit “Perspektiva Evropiane – ndërtimi i konsensusit kombëtar për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë” që përkrahet nga Ambasada Zvicerane në Prishtinë.