Koalicioni i OJQ-ve për vëzhgimin e zgjedhjeve, Demokracia në Veprim (DnV), shpalosi sot, përmes një konference për media, deklaratën preliminare për procesin zgjedhor për Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit 2019.
DnV vlerëson që këto zgjedhje janë zhvilluar në frymë të qetë dhe demokratike, pa ndonjë parregullsi apo incident serioz që do të mund të cenonte integritetin dhe besueshmërinë e publikut ndaj procesit zgjedhor në tërësi. Zgjedhjet janë administruar sipas standardeve më të larta dhe në harmoni me kornizën ligjore.
Dita e zgjedhjeve, përkatësisht procesi i votimit dhe numërimit, në përgjithësi është zhvilluar normalisht dhe në frymë të qetë, pa incidente serioze. Publikimi i rezultateve preliminare dhe daljes në zgjedhje nga KZQ-ja brenda një periudhe të shkurtë, ka ndikuar në rritjen e transparencës së procesit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, por dhe Komisionet Komunale Zgjedhore, kanë shënuar përmirësim të ndjeshëm sa i përket transparencës lidhur me funksionimin e tyre. Përkundër afateve të shkurtuara, KQZ ka arritur t’i përmbyllë të gjitha aktivitetet dhe operacionet zgjedhore pa vonesa.
Disa nga dukuritë që përsëriten vazhdimisht në proceset zgjedhore në Kosovë, të tilla si numri i shtuar i votuesve me asistencë, pasaktësia e listës së votuesve dhe vështirësitë në gjetjen e Qendrës së Votimit apo vendvotimeve, janë përsëritur edhe në këto zgjedhje. Po ashtu, janë evidentuar edhe raste të fotografimit të votës, bërjes publike të saj, qëndrimit të më shumë se një personi prapa kabinës së votimit.
Në këto zgjedhje, janë evidentuar raste të votuesve të cilët janë identifikuar me dokumente të vlefshme, por me afat të skaduar. Ndërsa, në lidhje me identifikimin e votuesve me dokumente të shteteve tjera, KQZ-ja, ka lëshuar një udhëzim i cili ka arritur të sqarojë këtë çështje dhe të evitojë parregullsitë në terren.
Shqetësues edhe në këto zgjedhje mbetet fenomeni i numrit shumë të madh të fletëvotimeve të pavlefshme. Edhe në këto zgjedhje, në bazë të rezultateve të deritanishme janë evidentuar mbi 40 mijë fletëvotime të pavlefshme, që korrespondon me trendin e cikleve paraprake zgjedhore. KQZ-ja duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje kësaj çështje, duke hulumtuar shkaktarët kryesorë të këtij numri të madh të fletëvotimeve të pavlefshme, nëpërmjet auditimit të tyre.
Fushata zgjedhore në përgjithësi ishte dinjitoze dhe u zhvillua në frymë të qetë dhe konkurruese, me pjesëmarrje të konsiderueshme të qytetarëve dhe pa incidente madhore. Por në komunat me shumicë serbe ku garuan koalicionet apo subjektet politike nga ky komunitet, fushata nuk ishte në përputhje me standardet për një garë të lirë dhe të barabartë. Subjektet politike garuese përballë Listës Serbe u intimiduan, ndërsa qytetarëve iu bë presion të votonin për Listën Serbe.
Subjektet politike nuk treguan vullnet për transparencë sa i përket financave dhe shpenzimeve të tyre në fushatë. DnV, para fillimit të fushatës, kishte kërkuar nga subjektet politike që të tregojnë për shumat që ata planifikojnë t’i shpenzojnë në fushatë, mënyrën e financimit, udhëheqësit e fushatës dhe të tjera. Prej 26 subjekteve politike të cilave ju dërgua kjo kërkesë, vetëm pesë prej tyre u përgjigjën pozitivisht.
Nga monitorimi që iu është bërë tetë kanaleve televizive (gjashtë shqiptare dhe dy serbe), del se këto mediume në kronikat e tyre zgjedhore kanë ofruar hapësirë të përafërt për subjektet e mëdha politike, ndërkaq më pak hapësirë për subjektet e vogla. Disa nga kanalet televizive kanë shfaqur edhe spote reklamuese të kandidatëve të subjekteve politike në kohën kur kishte debate zgjedhore.
Radio Televizioni i Kosovës ka treguar njëanshmëri sa i përket mbulueshmërisë së aktiviteteve zgjedhore të subjekteve politike. Të gjitha tubimet e PDK-së janë transmetuar edhe në televizion, por edhe ‘livestream’ në faqen zyrtare të RTK-së në Facebook. Komisioni i Pavarur i Mediave, edhe gjatë këtyre zgjedhjeve nuk arriti që të jetë efikas sa i përket sanksionimit të shkeljeve të mediave gjatë fushatës zgjedhore. Gratë kanë qenë më pak të pranishme në media, në kronika zgjedhore dhe në spote publicitare të subjekteve politike.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka vepruar me profesionalizëm dhe në mënyrë të paanshme në trajtimin e ankesave dhe apeleve, duke respektuar afatet kohore.
Në ditën e zgjedhjeve DnV-ja pati 2700 vëzhgues në terren, të pranishëm në të gjitha vendvotimet, rreth 100 ekipe mobile, 170 vullnetarë në qendrën e thirrjeve. Gjithashtu fushata parazgjedhore është vëzhguar nga 72 vëzhgues të akredituar.
DnV-ja do të përcjellë nga afër edhe procesin e numërimit në Qendrën e Numërimit të Rezultateve dhe shqyrtimin e ankesave eventuale në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, deri në certifikimin përfundimtar të rezultateve.
Deklaratën preliminare mund ta shkarkoni këtu.