Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka mbajtur sot një konferencë për media, pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me Ligjin për detyrat, përgjegjësit dhe kompetencat e delegacionit shtetëror për procesin e dialogut ku shpalosi rekomandimet rreth së ardhmes së këtij procesi.
Me këtë rast, Jeta Krasniqi nga KDI, ka theksuar se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me kushtetutshmërinë e Ligjit për Delegacionin Shtetëror shënon një pikë kthese në procesin e dialogut, duke hequr të gjitha dilemat lidhur me rolin dhe përgjegjësitë e institucioneve kushtetuese në fushën e politikës së jashtme. Pas kontestimit të Ligjit në Gjykatën Kushtetuese nga dy partitë opozitare, LDK dhe LVV, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese qartazi përcaktoi që kompetencat e institucioneve kushtetuese nuk mund t’i barten ‘mekanizmave të posaçëm’ të cilat nuk janë të parapara me Kushtetutë. “Aktgjykimi konstatoi që Ligji si i tillë cenon parimin e ndarjes së pushtetit, vlerat demokratike të qeverisjes, ushtrimin e kompetencave të Kuvendit, të Qeverisë dhe Kryeministrit në sferën e politikës së jashtme”, ka thënë ajo.
Sipas Krasniqit, para votimit të Ligjit në Kuvend, KDI ka ndarë me deputetët e Kuvendit një analizë të këtij ligji ku kishte ngritur çështjet lidhur me ndarjen e pushteteve, hierarkisë institucionale si dhe mangësi të tjera të cilat shoqëronin këtë ligj.
KDI ka kërkuar në vazhdimësi që spektri politik të arrijë konsensus lidhur me çështjen e dialogut, duke mirëpritur nismat e ndërmarra në këtë drejtim të cilat kthenin diskutimin në Kuvendin e Kosovës. Ky unitet i spektrit politik nuk arriti të formalizohej as pas përpjekjeve nëpërmjet krijimit të Delegacionit Shtetëror në dhjetor të vitit të kaluar.
Rreth gjashtë muaj pas themelimit të Delegacionit, Krasniqi ka theksuar se, mund të konkludohet që funksionimi dhe roli i tij ka qenë në suaza margjinale, si në arritjen e konsensusit të brendshëm, ashtu edhe në përfaqësimin e Kosovës në planin e jashtëm. Roli i Delegacionit ka qenë i kufizuar vetëm në mbajtjen e takimeve koordinuese me krerët institucional të vendit, apo takimeve informuese me zyrtarë të ndryshëm të faktorit ndërkombëtar, si dhe përfaqësuesit diplomatik të akredituar në Kosovë.
“E tërë periudha e funksionimit të Delegacionit Shtetëror ka qenë e shoqëruar me mungesë të theksuar të transparencës dhe llogaridhënies karshi Kuvendit, shoqërisë civile dhe qytetarëve në përgjithësi. Praktika e jotransparencës është vërejtur edhe sa i përket shpenzimeve dhe punësimeve në Delegacion, përkatësisht në administratën e tij, për të cilat Qeveria kishte ndarë mjete në vlerë prej 300,000 eurosh”, shtoi ajo.
Duke marrë parasysh të gjitha zhvillimet pas themelimit të Delegacionit, veçanërisht pas aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese lidhur me Ligjin për Delegacionin Shtetëror, KDI ofron rekomandimet për fazën e ardhshme të dialogut, si në vijim:
- KDI iu bën thirrje të gjitha institucioneve që të respektojnë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të veprojnë në përputhje më të. Procesi i dialogut duhet të rikthehet nën udhëheqjen e Kryeministrit të vendit dhe nën mbikëqyrjen e rregullt të Kuvendit të Kosovës.Kryeministri dhe Presidenti duhet të konsultohen dhe të funksionojnë të koordinuar në kuadër të përgjegjësive të tyre kushtetuese, duke lënë anash përplasjet politike rreth përfaqësimit në këtë proces;
- Kosova duhet të artikulojë qëndrimin e saj unik lidhur me marrëveshjen përfundimtare dhe ligjërisht të obligueshme në mes të Kosovës dhe Serbisë. Këtij procesi duhet t’i paraprijë një debat i gjerë politik e shoqëror, në kuadër të së cilit definohen parimet udhëheqëse, vijat e kuqe dhe çështjet apo temat të cilat duhet të prezantohen dhe shtyhen përpara nga institucionet e Kosovës. Në këtë drejtim, Qeveria e Kosovës duhet të qartësojë vlefshmërinë e Platformës së propozuar nga Delegacioni Shtetëror, i cili u votua në Kuvendin e Kosovës, nëse e njëjta do vazhdojë të mbetet si qëndrim zyrtar i Kosovës në këtë proces. Procesi i dialogut duhet të zhvillohet mbi bazën e ‘vijave të kuqe’, të cilat duhet të garantojnë mostjetërsimin e integritetit territorial të Kosovës, funksionimin e brendshëm unitar të shtetit, statusin e Kosovës të përfunduar si shtet i pavarur dhe sovran, si dhe sovranitetin e Kosovës si shtet me të drejta të plota dhe të barabarta në arenën ndërkombëtare.
- Arritja e konsensusit politik mbetet e rëndësishme për ta çuar përpara procesin e dialogut në ruajtje të interesit të shtetit të Kosovës, në përputhje me prerogativat kushtetuese të institucioneve shtetërore. Spektri politik duhet të lë anash kalkulimet ditore politike, dhe duhet të ndërtojë qëndrime afatgjate për shtetin e Kosovës;
- Kuvendi i Kosovës duhet të mbajë Qeverinë llogaridhënëse lidhur me procesin e dialogut, duke pasur një rol mbikëqyrës proaktiv dhe më efikas. Komisionet parlamentare dhe deputetët e Kuvendit duhet shfrytëzojnë të gjitha mekanizmat mbikëqyrës që kanë në dispozicion, duke përfshirë thirrjet në raportim, interpelancat, vizitat në terren dhe të tjera, për të siguruar mbarëvajtjen e procesit, për të garantuar zbatimin e marrëveshjeve dhe për të kërkuar llogaridhënie. Kuvendi nuk duhet të lejojë anashkalimin e tij si institucion mbikëqyrës i politikës së jashtme të vendit;
- Faza përmbyllëse e dialogut duhet t’i nënshtrohet transparencës së plotë. Kryeministri dhe Presidenti duhet të raportojnë në Kuvendin e Kosovës mbi diskutimet të cilat janë zhvilluar rreth fazës përmbyllëse të dialogut. Kryeministri duhet të ofrojë sqarime lidhur shpenzimet e Delegacionit Shtetëror.
Qeveria e Kosovës duhet të bëj një vlerësim të përgjithshëm të procesit të dialogut që nga fillimi i tij, duke identifikuar të arriturat dhe sfidat në këtë proces dhet t’ia dorëzoj Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Mbi të gjitha, Kryeministri, në funksionin e udhëheqësit të dialogut me Serbinë, duhet të ndërtojë praktikën e raportimit të rregullt në Kuvend lidhur me këtë proces.
Qeveria dhe Kuvendi duhet të zhvillojnë praktika të informimit qytetar lidhur me të gjitha zhvillimet në kuadër të procesit të dialogut.
Kjo konferencë u realizua në kuadër të projektit “Perspektiva Evropiane – ndërtimi i konsensusit kombëtar për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë” që përkrahet nga Ambasada Zvicerane në Prishtinë