Shpaloset studimi krahasues për Projektligjin për Arsimin e Lartë

22.02.2016

Nën organizimin e Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) në bashkëpunim me Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport të Kuvendit të Republikës së Kosovës, sot u mbajt tryeza e rrumbullakët për Projektligjin për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës, me ç’rast u prezantua “Studimi krahasues për Projektligjin për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës”, i përgatitur nga Qendra për Arsim e Kosovës (KEC). Pjesëmarrës në këtë tryezë diskutimi ishin anëtarë të Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport të Kuvendit të Republikës së Kosovës, përfaqësues nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Agjencia e Kosovës për Akreditim, profesorë nga Universiteti i Prishtinës, përfaqësues nga organizata zhvillimore ndërkombëtare dhe përfaqësues nga shoqëria civile.

 

Z. Nait Hasani, Kryetari i Komisionit parlamentar, njëherësh inicues i kërkesës për këtë hulumtim vlerësoi lartë të gjeturat dhe rekomandimet e ofruara në “Studimin Krahasues të Projektligjit për Arsimin e Lartë”, dhe potencoi që këto informata do të konsiderohen nga Komisioni gjatë shqyrtimit të këtij projektligji. Edhe anëtari tjetër i Komisionit Parlamentar për Arsim, deputeti Shpejtim Bulliqi, debatin dhe rekomandimet e kësaj tryeze i cilësoi si shumë të mirëseardhura dhe të dobishme për punën e mëtutjeshme të Komisionit.

 

 

Hulumtimet parlamentare janë në funksion të rritjes së cilësisë dhe implementueshmërisë së legjislacionit duke hapur rrugë për kontributin dhe ekspertizën e instutucioneve hulumtuese në ligjbërje.