Përmes një konference për media, përfaqësues të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), kanë bërë sot prezantimin e gjetjeve nga hulumtimi për matjen e opinionit publik në Kosovë lidhur me gjendjen aktuale politike, kënaqshmërinë me punën e institucioneve publike, si dhe preferencat politike të qytetarëve për zgjedhjet e ardhshme.
Eugen Cakolli nga KDI, ka theksuar se rezultatet e këtij sondazhi tregojnë se 74% e të anketuarve mendojnë që gjërat në Kosovë janë duke shkuar në drejtimin e gabuar. “Po ashtu qytetarët janë pyetur konkretisht për kënaqshmërinë e tyre me punën e Qeverisë së Kosovës. Sipas rezultateve të hulumtimit, 72% e qytetarëve janë të pakënaqur me punën e Qeverisë, ndërsa vetëm 26% janë deklaruar të kënaqur me punën e saj”, ka bërë të ditur ai.
Bazuar në sondazh papunësia mbetet problemi kryesor me të cilin ballafaqohen shumica e qytetarëve të Kosovës dhe është evidentuar në 61.3% të rasteve. Pastaj vjen mungesa e liberalizimit të vizave (42.8%), mungesa e sundimit të ligjit (33.3%), gjendja e keqe në sektorin e shëndetësisë (28.9%), si dhe mungesa e arsimit cilësor (19.6%).
Siguria në trafik është një problem i ri i evidentuar nga qytetarët, por që më parë nuk ka qenë pjesë e shqetësimeve të tyre. Me këtë çështje, në gjashtë muajt e fundit janë ballafaquar rreth 13% e qytetarëve.
Në kuadër të këtij hulumtimi, Cakolli ka thënë se qytetarët janë pyetur edhe për kënaqshmërinë e tyre me punën e Kuvendit të Kosovës. Vetëm 26% e të anketuarve janë deklaruar të kënaqur me punën e Kuvendit, kurse 72% e tyre janë deklaruar të pakënaqur.
53.5% e qytetarëve kanë vlerësuar se deputetët nuk janë aspak llogaridhënës ndaj votuesve të tyre, pas marrjes së mandatit. “Vetëm 19.1% e të anketuarve kanë deklaruar se kanë pasur mundësi për të komunikuar me ndonjë deputet/e që nga zgjedhjet e fundit parlamentare”, ka plotësuar Cakolli.
Ai ka thënë se qytetarët janë pyetur edhe lidhur me pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje parlamentare, nëse këto të fundit do të mbaheshin këtë të diele. “Mbi 70% të anketuarve kanë deklaruar se do të merrnin pjesë në zgjedhje, rreth 20% që nuk do të merrnin pjesë, ndërsa pjesa tjetër nuk kanë qenë të vendosur, apo kanë refuzuar të përgjigjen”, theksoi ai.
Subjekti politik i cili do të votohej më së shumti nga qytetarët nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diele, del të jetë Lidhja Demokratike e Kosovës me 23.8%, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës me 18.4%, Lëvizja Vetëvendosje me 17.6% dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 8.8% të të anketuarve. 4.1% e qytetarëve të anketuar kanë deklaruar se do të votonin për Listën Serbe.
NISMA Socialdemokrate (4.9%), Partia Socialdemokrate (2%), Aleanca Kosova e Re (1.7%) dhe Alternativa (0.6%), del se sipas deklarimit të qytetarëve në këtë hulumtim, nuk do të arrinin që të kalojnë pragun zgjedhor prej 5%.
Cakolli ka shtuar se 15.6% e të anketuarve kanë refuzuar të deklarojnë se për cilin subjekt do të votonin.
Në fund, të anketuarit që kanë deklaruar se për cilin subjekt politik do të votonin në zgjedhjet e ardhshme, janë pyetur edhe lidhur me koalicionet e mundshme mes atij subjekti dhe subjekteve tjera.
Trendet e përgjithshme të këtyre rezultateve tregojnë se shumica e elektoratit në Kosovë preferon që subjektet e tyre të garojnë të vetme në zgjedhje.
Të ndarë sipas secilit subjekt politik, këto janë preferencat e votuesve lidhur me koalicionet, të paraqitura në përqindje kumulative:
Subjektet si AKR dhe Alternativa, që kanë përqindje më të vogël të votuesve, janë subjekte të preferuara për të qenë në koalicion, për shumicën e votuesve të partive tjera. Mirëpo për shkak të përqindjes së ulët të votuesve që janë deklaruar se do të votonin për to nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diele, këto subjekte nuk janë përfshirë në këtë tabelë.
Prezantimin e plotë të gjetjeve mund ta shkarkoni këtu.
Hulumtimi u zhvillua në kuadër të programit për zgjedhje të lira dhe të drejta, përkatësisht projektit “Çdo votë vlen!”.
Ky hulumtim është realizuar me përkrahjen e projektit Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).
Përmbajtja e këtij hulumtimi është përgjegjësi e KDI-së dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i SDC-së, DANIDA-së apo KCSF-së.