Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) shpreh mbështetjen për nismën e ndërmarrë për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme për dialogun Kosovë-Serbi dhe fton të gjitha partitë politike parlamentare të mobilizohen për të mbledhë nënshkrimet e nevojshme për të ftuar sa më shpejt këtë seancë.
KDI ka bërë thirrje të vazhdueshme drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës për të ftuar seancë të jashtëzakonshme, me 28 maj dhe 17 korrik të këtij viti, duke kërkuar që Kuvendi i Republikës së Kosovës të jetë epiqendra e diskutimeve rreth dialogut Kosovë-Serbi dhe Presidenti t’i raportojë Kuvendit.
Republika e Kosovës ka hyrë në fazën finale të dialogut pa një strategji shtetërore të aprovuar në Kuvendin e saj, pa përcaktuar temat e diskutimit, vijat e kuqe, afatet kohore, pritshmëritë e palës kosovare në këtë proces dhe pa legjitimuar me anë të një rezolute ekipin udhëheqës të Kosovës në këto bisedime.
Faza përmbyllëse e dialogut Kosovë-Serbi është duke vazhduar me mungesë të theksuar të transparencës, pa koordinim të spektrit politik, pa koordinim të institucioneve të vendit dhe me veprime të njëanshme të Presidentit.
KDI i bën thirrje institucioneve të vendit të respektojnë mandatin e Kuvendit të Kosovës si institucioni më i lartë ligjvënës. Institucionet e tjera me veprimet e tyre nuk duhet të anashkalojnë rolin e Kuvendit në këtë proces të rëndësishëm shtetëror. Ndërsa partitë politike parlamentare, përkatësisht deputetët e Kuvendit të Kosovë, duhet të respektojnë mandatin dhe kompetencat e tyre, duke ushtruar përgjegjësitë e tyre dhe duke mbajtur sa më parë seancën e jashtëzakonshme për dialogun Kosovë-Serbi.
Veprimet e Republikës së Kosovës në këtë fazë kritike të dialogut duhet të koordinohen në Kuvend, duke i dhënë legjitimitet këtij procesi shtetëror përmes miratimit të një rezolute e cila do të përcaktojë edhe vijat e kuqe të Kosovës, bashkërendim të institucioneve, gjithëpërfshirje, llogaridhënie dhe transparencë.