DnV nis me vezhgimin e procesit zgjedhor, ben thirrje per respektim te rregullave te fushates zgjedhore

Konferenca për media 20.09.2017

Në prag të fillimit zyrtar të fushatës zgjedhore për Zgjedhjet Lokale të 22 tetorit, koalicioni “Demokracia në Veprim” (DnV), ka mobilizuar 61 vëzhgues afatgjatë për të përcjellë nga afër aktivitetet në kuadër të fushatës 30 ditëshe në të gjithë vendin. Objektivi i përgjithshëm i DNV-së tash e dhjetë vite mbetet promovim i zgjedhjeve të lira, të drejta dhe të besueshme të cilat mund të sigurohen vetëm në një mjedis paqësor dhe të qëndrueshëm. Objektivat specifike përfshijnë:

vëzhgimin e zgjedhjeve në mënyrë profesionale dhe të paanshme, për të ndikuar në rritjen e integritetit të zgjedhjeve dhe besueshmërisë së publikut në këtë proces;
të kontribuojmë në edukimin dhe informimin e votuesve për mënyrën e votimit dhe rëndësinë e pjesëmarrjes në zgjedhje të lira pa frikësime apo dhunë;
eliminimin e barrierave për pjesëmarrje në zgjedhje nga të gjitha grupet e shoqërisë, duke garantuar mundësi të barabarta për të gjitha grupet e shoqërisë, barazi gjinore dhe mbrojtje të të drejtave të njeriut;
vlerësimin e legjitimitetit të procesit zgjedhor në raport me përmbushjen e standardeve ndërkombëtare dhe respektimin e kornizës ligjore vendore;
ofrimin e rekomandimeve për përmirësimin e më tejmë të sistemit dhe administrimit të zgjedhjeve;
Fushata zgjedhore

Në fokus të vëzhgimit të fushatës do të jetë vlerësimi i respektimit të Kodit të Mirësjelljes nga subjektet politike dhe kandidatët e tyre në garë. Prandaj, DnV u bën thirrje subjekteve politike të evitojnë shkeljet e Kodit dhe dispozitave tjera ligjore për zgjedhjet. DnV mbetet e përkushtuar të raportojë me profesionalizëm dhe përgjegjësi të gjitha shkeljet para institucioneve përgjegjëse. Nga subjektet politike dhe kandidatët e tyre kërkojmë që t’i shmangen vendosjes së çfarëdo materiali propagandues në hapësirat publike ku është e ndaluar me ligj. Vetëm në zgjedhjet e kaluara parlamentare subjektet politike janë gjobitur me mbi 350 mijë euro për shkelje të këtyre rregullave. Po ashtu, subjektet politike të mos shfrytëzojnë resurset publike për qëllime të fushatës zgjedhore, të mos angazhojnë shërbyesit publik në fushatë apo fëmijët në mënyrë të organizuar.
DnV fton subjektet politike të ofrojnë mundësi të barabarta në fushatë zgjedhore për gratë, si në pjesëmarrje në tubime ashtu edhe në mundësinë për të qenë folëse në aktivitetet e tyre. Subjekteve politike iu rikujtojmë respektimin e deklaratës së nënshkruar për përfaqësim të grave në trupat e menaxhimit të zgjedhjeve për të paktën 40%, deklaratë të cilën e shpërfillen në zgjedhjet e kaluara parlamentare.

Dita e Zgjedhjeve

DnV do të jetë e pranishme edhe në vëzhgimin e ditës së zgjedhjeve. Tashmë kemi rekrutuar mbi 2,500 vëzhgues të cilët do të mbulojnë të gjitha vendvotimet dhe do të raportojnë në kohë reale për procesin, daljen e votuesve në zgjedhje dhe parregullsitë eventuale.

Edukimi i votuesve

Duke iu referuar numrit të madh të fletëvotimeve të pavlefshme në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit por edhe zgjedhjeve të mëhershme lokale, si dhe fushatës joadekuate të KQZ-së, DnV ka filluar të punojë në terren në informimin dhe edukimin e votuesve, për të parandaluar këtë trend. Informimi me kohë i votuesve për të votuar në mënyrë të duhur në zgjedhjet lokale sidomos tani kur procedurat janë të ndryshme nga ato të zgjedhjeve parlamentare, është parakusht për të minimizuar numrin e votave të pavlefshme. Për më shumë se një vit, jemi duke punuar me votuesit e rinj, në mënyrë që të marrin vendime duke qenë mirë të informuar dhe duke ndikuar në hartimin e politikave. Përmes grupeve punuese me të rinjtë në shtatë qytetet më të mëdha të Kosovës, kemi identifikuar problemet me të cilat ballafaqohen dhe i kemi shndërruar në platforma për partitë politike. Të njëjtat do t’i prezantojmë para të gjithë kandidatëve për kryetar të komunave dhe presim që të njëjtat të adaptohen dhe zbatohen nga ta pasi që të marrin pushtetin.
Në fund, falënderojmë të gjithë donatorët që përmes përkrahjes së tyre kanë bërë të mundur vëzhgimin e zgjedhjeve. Bashkëpunimi jonë do të vazhdoj me vëzhguesit ndërkombëtar, institucionet përgjegjëse për menaxhimin e zgjedhjeve si dhe ato të sigurisë në vend.