Kamenicasit të pakënaqur me rezultatet e dialogut. Mungesa e energjisë elektrike pamundëson funksionalizimin e pikës kufitare në Kapi

Tryeza Vizita në terren 02.11.2017

“E ardhmja e dialogut Kosovë-Serbi: perspektiva e qytetarëve” ishte tema e debatit publik që KDI organizoi me qytetarët e komunës së Kamenicës, ku u diskutua rreth ndikimit që dialogu Kosovë-Serbi ka pasur në jetën e qytetarëve të këtij rajoni si dhe rreth pritshmërive të tyre për fazën e re.

Pjesë e panelit diskutues ishin deputetët e Kuvendit të Kosovës: Fatmir Xhelili (PDK), Xhelal Sveçla (LVV), Ahmet Isufi (AAK) dhe Haxhi Shala (Nisma).

Në hyrje të këtij debati, Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) deklaroi se faza e re e dialogut Kosovë-Serbi duhet të zhvillohet në konsultim të gjerë me qytetarët nga të gjitha rajonet, në transparencë të plotë dhe koordinim ndër institucional për platformën e bisedimeve.

Deputeti i këtij rajoni nga radhët e AAK-së, Ahmet Isufi, pohoi se qytetarët janë të zhgënjyer nga procesi i dialogut për shkak të moszbatimit të marrëveshjeve si ajo e IBM-it, e lëvizjes së lirë apo dhe diplomave. Isufi tha se formati i dialogut duhet të ndryshoj dhe se Kuvendi duhet të legjitimoj platformën e bisedimeve dhe ekipit negociator.
Në lidhje me përfaqësimin e interesave të shqiptarëve të Preshevës dhe adresimin e tyre në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, Isufi është shprehur se reciprociteti duhet të jetë parimi bazë i bisedimeve me Serbinë. Ai shtoi se Kosova duhet t’iu jap nënshtetësinë të gjithë qytetarëve të këtyre trevave të cilët prej 18 vitesh nuk kanë dokumente identifikimi.

Xhelal Sveçla nga LVV, vlerësoi se marrëveshjet e dialogut kanë qenë të dëmshme. Ai kërkoi që Kuvendi i Kosovës të fillojë një hetim parlamentar për marrëveshjet e arritura. Sveçla tha se duhet të kemi dialog të brendshme, veçanërisht me komunitet jo shumicë për t’i integruar ata në institucionet e vendit dhe për të shkëputur influencën e Serbisë mbi komunitetin serb. Sveçla shtoi se interesat e qytetarëve të luginës së Preshevës nuk janë përmendur në bisedime edhe pse kjo ka qenë kërkesë e LVV-së. Ai shtoi se zgjidhja duhet kërkuar qoftë duke i bërë pjesë të delegacioneve qoftë duke rritur marrëveshje që i përmirëson jetën e qytetarëve të këtij rajoni.

Fatmir Xhelili, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së vlerësoi se dialogu ka qenë pjesërisht i suksesshëm dhe përfundimi i dialogut është njohja reciproke në mes Kosovës dhe Serbisë si dhe anëtarësimi në OKB-në. Ai vlerësoi se ndërmjet këtij procesi do të bëhet integrimi i komunitetit serb në jetë institucionale dhe shoqërore të Kosovës. Ndërsa theksoi se roli i Kuvendit në të ardhmen e këtij procesi mbetet i rëndësishëm. Ai shtoi se Serbia në rrugëtimin e saj drejtë BE-së do të jetë e obliguar të respektoj dhe garantoj të drejtat e qytetarëve shqiptar.

Qytetarët e rajonit të Gjilanit ngritën shqetësimet e tyre lidhur me moszbatimin e marrëveshjeve për lëvizjen e lirë, të diplomave dhe të IBM-it. Qytetarët kërkuan transparencë dhe përfshirje të kërkesave të tyre në këto bisedime.

Pas debatit me qytetarë, përfaqësuesit e KDI-së, zv.Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi si dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës Ahmet Isufi dhe Xhelal Svçla, major Nebih Aliu nga Policia Kufitare, vizituan pikën e re kufitare në Kapi të Sfircës.
Megjithëse punimet në këtë pikë kufitare kanë filluar në tetor të vitit të kaluar, ajo ende nuk është funksionale për shkak të mungesës së furnizimit të energjisë elektrike nga ana e KEDS-it, pavarësisht kërkesës së parashtruar ndaj këtij autoriteti. Deputetët e Kuvendit u zotuan që do ta adresojnë këtë çështje në Kuvend dhe Qeveri.

Debati publik dhe vizita në terren u organizua në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit të nënshkruar në mes të KDI-së dhe Kuvendit që synon rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi si dhe fuqizimin e rolit mbikëqyrës të Kuvendit ndaj Qeverisë, me financimin e Ambasadës së Zvicrës.