Skenderaj kërkon më shumë punë nga deputetët

01.01.2011

Skenderaj, 28 prill 2010 – Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), nëpërmjet një tryeze, u ka mundësuar të mërkurën qytetarëve dhe shoqërisë civile në Skenderaj, një komunikim të drejtpërdrejt me deputetët e tyre të Parlamentit të Kosovës, me ç?rast qytetarët e Skenderajt kanë kërkuar nga të zgjedhurit e tyre që të angazhohen më shumë në përfaqësimin e interesave të tyre. Përfaqësuesit e shoqërisë civile kanë vlerësuar se mungon komunikimi i deputetëve me qytetarët. Nga ana e tyre, deputetët e kësaj komune, kanë shpalosur aktivitetet dhe planet për mandatin e tyre dhe kanë premtuar më shumë kontribut.
Në tryezën me temën ?Puna e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës në legjislaturën e tretë?, të organizuar në Skenderaj, nga KDI, është potencuar mjaft shumë sistemi zgjedhor, konkretisht sistemi një zonal i Kosovës, i cili sipas deputetëve bënë që deputeti të jetë përfaqësues i të gjithë qytetarëve të Kosovës, e jo i vetëm një zone. Megjithatë, të zgjedhurit kanë vlerësuar se kanë pasur mjaft mundësi që të merren me shqetësimet e qytetarëve.

Deputetja Elheme Hetemi, paneliste e kësaj tryeze, ka vlerësuar se megjithëse Kosova është një zonë zgjedhore, lokalizmat nuk kanë ardhur në shprehje. Ajo ka folur edhe për aktivitetet konkrete në legjislativ. ?Angazhimi im varet kryesisht në komisionet e Parlamentit dhe profesionin tim, në komisionin për Bujqësi…?, ka thënë Hetemi.

Për dallim nga deputetja Hetemi, deputeti Gani Geci panelist, ka thënë se në rend të parë ai i përfaqëson interesat e qytetarëve të Drenicës. Geci ka folur edhe për aktivitetet e tij në Kuvend. ?Kam lobuar mjaft për realizimin e projekteve, sidomos në ndërtimin e rrugëve, si ajo e fshatit Llaushë. Kam ngritur çështje si: për rrugën Skenderaj-Polac, Skenderaj-Klinë, etj.?, ka deklaruar Geci. Këto angazhime ai ka thënë se i ka bërë për shkak se Skenderaj, që nga viti 1945 ka qenë më së paku i zhvilluar.

Edhe panelisti tjetër, deputeti Ramadan Gashi ka theksuar se angazhimin më të madh e ka në komisionet e Parlamentit, sidomos në komisionet ad-hoc. Ai megjithatë pranon se në seanca nuk është mjaft aktiv. ?Rregullorja e re e punës së Kuvendit, mundëson rritjen e hapësirës kohore për diskutime, pyetje, ngritje të çështjeve, etj.

Në legjislaturën e re, Skenderaj ka edhe një deputet të ri, Adbyl Ymerin, duke e ngritur numrin e tyre në pesë. Deputeti Ymeri, megjithëse i ri në këtë mandat, ka thënë se ka arritur që të jetë aktiv. ?Megjithatë, kam ngritur çështje për diskutim në Parlamentin e Kosovës, si ajo e ndotjes së ambientit në rrethinën tonë, shkaku i Ferronikelit?, ka thënë Ymeri.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe këshilltarët komunalë, kanë ngritur mjaft çështje në diskutim, si dhe kanë kërkuar informata rreth kontributeve konkrete të përfaqësuesve të tyre në Parlamentin e Kosovës.

Sabit Istogu ka ngritur çështjen e mungesës së një zyre të deputetëve në Skenderaj. Ndërsa Hajriz Koci ka vlerësuar se në Skenderaj mungojnë kontaktet e deputetëve me qytetarë. ?Do të ishte e mirë, hapja e një zyre për deputetët në Skenderaj. Po ashtu, deputetët duhet që të bëjnë vizita nëpër vendbanime?, ka thënë Koci.

Në mënyrë që të gjenden mënyrat më të mira të komunikimit dy kahor qytetarë-deputetë, Murat Musliu ka propozuar që të përdoret modeli i Shqipërisë, konkretisht i vizitave të shpeshta nëpër zona të ndryshme.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe këshilltarët kanë ngritur para deputetëve edhe çështje dhe brenga të ndryshme të qytetarëve të Skenderajt. Furnizimi me ujë të pijes, ngritja e punësimit, ligjet për kategoritë e dala nga lufta, kanë qenë edhe disa tema tjera të diskutuara në këtë tryezë.

Rekomandimet e tryezës:

  • Intensifikimi i komunikimit qytetar-deputet
  • Hapja e një zyre për deputetët në Skenderaj
  • Rritja e kontributit të deputetëve dhe aktivizimi më i madh i tyre në Parlament
  • Nxitja dhe përkrahja nga deputetët për investime në zhvillimin e Skenderajt