Uji i pijes, shkatërrimi i pyjeve, ujërat e zeza, bujqësia dhe turizmi – probleme madhore për qytetarët e Deçanit

01.01.2011

Deçan 22 qershor 2010– Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka organizuar të martën në Deçan, një tryezë me temën ?Përfaqësimi i interesave të qytetarëve të Deçanit në Kuvendin e Kosovës?. Qëllimi i tryezës ishte që të shkëmbeheshin informata ndërmjet deputetëve të Kuvendit të Kosovës, autoriteteve lokale dhe shoqërisë civile të Deçanit.

Panelistët në këtë takim ishin deputetët e Kuvendit të Kosovës: Armend Zemaj (LDK), Shkumbin Demaliaj (AAK) dhe Xheladin Malaj përfaqësues i Kuvendit Komunal të Deçanit. Pjesëmarrës të tjerë ishin këshilltarët e Kuvendit Komunal, shoqëria civile, partitë politike dhe mediat që veprojnë në këtë qytet.

Pjesëmarrësit në këtë takim diskutuan për punën e Kuvendit të Kosovës dhe mundësitë e përfaqësimit sa më të mirë të interesave të qytetarëve nga ana e të zgjedhurve të tyre. Ndër problemet e identifikuara, e për të cilat u kërkua që të gjendeshin zgjidhje, ishin rritja e buxhetit për investime kapitale në Deçan, siç janë ujërat e zeza, uji i pijes, rruga Deçan – Plavë – Guci, bujqësia, pushimorja e fëmijëve si dhe zhvillimi i turizmit.

Ligji për Pyjet ishte edhe një nga çështjet për të cilën pjesëmarrësit e takimit kërkuan që deputetët e tyre në Kuvendin e Kosovës të bëjnë më shumë që kompetencat për menaxhimin e tyre t?u kalojnë Kuvendeve Komunale.

Në këtë takim u tha se Deçani ka një mundësi për ta shfrytëzuar pasi që ka më shumë se gjashtë (6) deputetë në Kuvendin e Kosovës ndërsa tre (3) janë edhe anëtarë të Komisionit për Buxhet dhe Financa, për të cilët u tha se duhet të angazhohen që të tërheqin sa më shumë investime në këtë qytet ndër më të varfëritë në vend.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nga Komuna kërkuan më shumë iniciativa, projekte dhe të ofroj të paktën një zyrë ku ata do të mundë të vijnë dhe takohen me qytetarët dhe zyrtarët komunal. E gjithë kjo për të institucionalizuar bashkëpunimin ndërmjet dy niveleve, pasi që në këtë formë u tha se do të kishte më shumë rezultate. Ata shprehën përkushtimin e tyre në drejtim të përfaqësimit sa më dinjitoz të interesave dhe problemeve të qytetarëve të Deçanit e me theks të veçantë në rritjen e investimeve kapitale gjatë procesit të rishikimit të buxhetit të Kosovës nga ana e Komisionit parlamentar për Buxhet dhe Financa.

Ky takim u zhvillua në kuadër të projektit Mbikëqyrja e brendshme, pjesëmarrja e qytetarëve dhe llogaridhënia për të forcuar qeverisjen e mirë, që përkrahet nga National Endowment for Democracy (NED), USAID përmes Programit per Fuqizimin e Shoqerise Civile implementuar nga Instituti për Komunitete të Qëndrueshme ?ISC dhe Ambasada e Norvegjisë në Kosovë.