KDI rekomandon për respektimin e procedurave ligjore gjatë hartimit dhe miratimit të Buxheteve Komunale

01.01.2011

Prizren, 08 shtator 2010Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) shpreh shqetësimet e saj në lidhje me ecurinë e hartimit dhe miratimit të buxheteve të komunave të Regjionit të Prizrenit.

Duke u bazuar në Qarkoren Buxhetore 2011/01 për komuna të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave të datës 05.05.2010, të gjitha kuvendet e komunave janë të obliguara që të aprovojnë buxhetin komunal për vitin 2011 deri më 30 shtator 2010.

Gjithnjë në bazë të Qarkores Buxhetore 2011/01 të MEF-it, kuvendet e komunave janë të obliguara t`i mbajnë dëgjimet buxhetore në formë të takimeve të hapura me publikun gjë të cilën deri më tash nuk e kanë bërë komunat e Regjionit të Prizrenit, pos Komunës së Suharekës.

KDI apelon te kuvendet e komunave të Regjionit të Prizrenit që të përshpejtojnë procedurat për miratimin e buxhetit komunal për vitin 2011 duke respektuar dhe zbatuar edhe kërkesat që dalin nga Ligji për vetëqeverisje lokale dhe Ligji për financat lokale mbi mbajtjen e takimeve të hapura dhe informimin e publikut. Në të kundërtën ato do të bëjnë shkelje të rëndë ligjore dhe në përputhje me Nenin 50.2, pika c) të Ligjit për vetëqeverisje lokale, ?Kuvendi i Komunës konsiderohet jofunksionues nëse nuk e miraton buxhetin sipas afatit të paraparë me ligjin përkatës?, që në këtë rast është 30 Shtator 2010, në përputhje me Nenin 20.3 të Ligjit për menaxhimin e financave publike.

Instituti Demokratik i Kosovës nga afër është duke përcjellë edhe zhvillimet rreth emblemës së Komunës së Prizrenit. Kuvendi i Komunës së Prizrenit në mbledhjen e saj të fundit themeloi një komision të veçantë për harmonizimin e Nenit 7 të Statutit të Komunës së Prizrenit me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, duke shënuar më në fund një hap drejt zgjidhjes së kësaj çështjeje. Megjithatë, KDI shpreh shqetësimin e saj me mungesën e hapave konkret të këtij institucioni në drejtim të harmonizimit të Statutit të Komunës së Prizrenit me Kushtetutën e vendit deri më 18 Shtator 2010, ashtu si kërkohet me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të datës 21 Qershor 2010.