Investimet kapitale, barazia gjinore, mirëqenia sociale shqetësim për qytetarët e Kamenicës

01.01.2011

Kamenicë, 15 tetor 2010 – Përfaqësimi i interesave të qytetarëve të Kamenicës në Kuvendin e Kosovës, ka qenë tema e debatit që Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka organizuar të premten në Kamenicë me deputetët të Kuvendit të Kosovës, përfaqësues të shoqërisë civile dhe këshilltarëve të Kuvendit Komunal të qytetit të Kamenicës.

Pjesëmarrësit kanë kërkuar më shumë mundësi komunikimi ndërmjet qytetarëve dhe të zgjedhurve të tyre në Kuvendin Kosovës. Një kërkesë e veçantë në këtë tryezë ishte edhe hapja e një zyre për deputetët në këtë komunë.

Panelisti Shaip Surdulli, kryetar i Komunës së Kamenicës, ka vlerësuar se përfaqësimi i interesave të qytetarëve të Komunës së Kamenicës në Kuvendin e Kosovës duhet të ekzistojë në mënyrë sa më të denjë, për shkak se sipas tij, përfaqësimi bëhet pikërisht nga votat e qytetarëve.
?Edhe pse në të gjitha zgjedhjet Kosova ka qenë një zonë zgjedhore, megjithatë është e udhës që të mbrohen interesat e qytetarëve prej nga vijnë vetë deputetët?, ka thënë Surdulli, ndërkohë ka shprehur shqetësimin e tij për bashkëpunim jo të duhur ndërmjet institucioneve qendrore me ato lokale.

Nga ana tjetër, Mimoza Ahmetaj deputete e Kuvendit të Kosovës ka premtuar edhe më shumë mbështetje, ndërkohë ka vlerësuar se janë duke bërë punë të mira në avancimin e komunikimin me qytetarët.?Nga përvoja ime 3 vjeçare jam munduar për aq sa kam pasur mundësi të takohem me qytetarët, të diskutojë për brengat e qytetarëve dhe përfaqësimin e interesave të tyre në Kuvend?, ka thënë Ahmetaj. Ajo ka premtuar bashkëpunim më të madh me qytetarët dhe me Kuvendin Komunal.

Ndërkohë, përfaqësuesit e Kuvendit Komunal dhe ata të shoqërisë civile kanë vlerësuar se përfaqësimi i interesave të qytetarëve nga deputetët është i dobët. Investimet kapitale në Komunën e Kamenicës, barazia gjinore, mirëqenia sociale ishin disa nga shqetësimet tjera të ngritura nga pjesëmarrësit tjerë në këtë tryezë.