Transparency International publikon indeksin e perceptimit të korrupsionit për vitin 2010- Kosova vlerësohet për herë të parë

01.01.2011

Prishtinë, 27 tetor 2010 – Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) shfaq shqetësimin për rezultatet e indeksit të perceptimit të korrupsionit për vitin 2010 nga Transparency International. Kosova bënë pjesë në grupin e shteteve që kanë nivel të lartë të korrupsionit, ku përfshihen: Zambia, Algjeria, Argjentina, Kazakistani Moldavia, Senegali, Benini, Bolivia, Gaboni, Indonezia, Ishujt Solomon, Etiopia, Mali, Mongolia, Mozambiku, Tanzania, Vietnami, Armenia, Rusia, Irani etj, dhe radhitet e 110-ta, duke lënë për t?u kuptuar se posedon nivel shumë të lartë të korrupsionit.

Në qoftë se krahasohet me shtetet fqinje, Kosova përsëri gjendet në një pozite jo të mirë pasi që qëndron mbrapa të gjitha shteteve te rajonit të cilat kanë këto rezultatet: Kroacia 4.1, Maqedonia 4.1 , Mali i Zi 3.7, Serbia 3.5, Shqipëria 3.3, Bosnja dhe Hercegovina 3.2 dhe Kosova 2.8.

Ky indeks i Transparency International konfirmon shqetësimin tonë për nivelin e korrupsionit i cili është në rritje e sipër dhe që është një lajm mjaftë i keq për Republikën e Kosovës, e sidomos për faktin se gati të gjitha shtetet e rajonit e kanë përmirësuar pozitën e tyre në këtë indeks. KDI vlerëson se këtë raport institucionet shtetërore duhet ta trajtojnë si një tregues, i cili mund te shërbej si pikënisje për të ndërmarr hapa konkret drejtë luftimit të korrupsionit.

Me këtë rast KDI i bene thirrje institucioneve të shtetit që t?i japin prioritet luftës kundër korrupsionit duke i bërë këto reforma:

  • Të forcohet gjyqësori dhe institucionet tjera te sundimit te ligjit
  • Të reformohet administrata publike, me theks te veçantë sektori i prokurimi publik
  • Të depolitizohet administrata
  • Të rritet transparenca e institucioneve publike duke e bere zbatimin e ligjit për qasje në dokumente zyrtare
  • Të garantohet pavarësia e medieve dhe liria e shprehjes
  • Të kompletohet dhe zbatohet legjislacioni i nevojshëm kundër korrupsionit (ligji anti-mafia, ligji për konfiskimin e pasurisë, ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve)