Prishtinë, 15 shtator 2026 – Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) mbajti sot konferencë për media, në të cilën prezantoi analizën “Konstituimi i Kuvendit pas skadimit të afatit kushtetues”. Analiza trajton katër çështje të evidentuara gjatë procesit të fundit konstituiv, përfshirë pasojat e tejkalimit të afatit 30-ditor, kufijtë e së drejtës së propozimit, shkeljen e afatit 48-orësh për ndërprerjen e seancës dhe ushtrimin e kompetencave nga kryesuesi i përkohshëm.
Gjatë prezantimit, Eugen Cakolli theksoi se pas konstituimit të Kuvendit dhe votimit të Qeverisë më 13 shtator, vëmendja është përqendruar te funksionimi i institucioneve të reja. Sidoqoftë, sipas tij, çështjet kushtetuese të hapura gjatë këtij procesi kërkojnë trajtim edhe në këtë fazë, për shkak të pasojave për legjislaturën aktuale dhe rrezikut të përsëritjes së bllokadave në të ardhmen.
“Afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit përfundoi më 7 gusht dhe i njëjti u shkel. Tash duhet të sqarohet çfarë pasoje juridike prodhon kjo shkelje, nëse mund të vazhdohet procesi pas skadimit të afatit, dhe nëse po, mbi cilat rregulla do duhej të ndodhte kjo. Lënia pezull e kësaj çështje u krijon hapësirë akterëve politik që edhe në legjislaturat e ardhshme ta përshtatin kohëzgjatjen e konstituimit me marrëveshjet dhe kalkulimet e tyre”, tha Cakolli.
Ai rikujtoi se jurisprudenca kushtetuese e lidh respektimin e afatit me përfundimin e konstituimit. Për këtë arsye, KDI kërkon që Gjykata Kushtetuese të përcaktojë efektet e tejkalimit të tij, përfshirë ndikimin e mundshëm në procedurat dhe aktet pasuese.
Në anën tjetër, Vullnet Bugaqku trajtoi të drejtën e grupit më të madh parlamentar për propozimin e Kryetarit të Kuvendit. Mungesa e propozimit në seancat e gushtit, sipas analizës, ngriti pyetjen se si zbatohet kjo e drejtë përballë detyrimit të Kuvendit për t’u konstituuar brenda afatit.
“Gjykata duhet të sqarojë nëse e drejta e propozimit mund të shterohet, në çfarë rrethanash, kush e konstaton këtë dhe si vazhdon procedura. Deputetët kanë nevojë ta dinë paraprakisht rrugën institucionale për rastet kur propozimi mungon ose procesi mbetet vazhdimisht i bllokuar”, u shpreh ai.
Tutje, u paraqitën këndvështrimet për ndërprerjen e seancës dhe rolin e kryesuesit të përkohshëm. U theksua se ndërmjet vazhdimeve të 8 gushtit dhe 9 shtatorit kaluan 32 ditë, duke shkelur edhe kufirin maksimal prej 48 orësh të përcaktuar në Rregulloren e Kuvendit. Në këtë drejtim, u potencua nevoja që të sqarohet kush ka përgjegjësi të veprojë në atë moment dhe përmes cilës procedurë deputetët mund ta sigurojnë vazhdimin e seancës.
Lidhur me kryesuesin e përkohshëm, ai rikujtoi se neni 9(2) i Rregullores parashikon zëvendësimin në rast mungese ose refuzimi. “Çështja që kërkon sqarim është zbatimi i këtij mekanizmi në rrethana të mosveprimit të zgjatur, respektivisht kur ky mosveprim mund të konsiderohet refuzim. Duke qenë se roli i kryesuesit të përkohshëm shërben vetëm për ta mundësuar konstituimin, duhet të parashihen modalitete që i tërë procesi të mos varet apo kushtëzohet nga veprimi i një deputeti.
KDI kërkoi që palët e autorizuara t’i shtrojnë këto çështje për shqyrtim kushtetues, përmes kërkesave që përmbushin kushtet dhe afatet procedurale. Përcaktimi i pasojave juridike të shkeljeve, përfshirë vlerësimin e akteve pasuese, i takon Gjykatës Kushtetuese. Kësaj të fundit, KDI i bën thirrje që kërkesat eventuale lidhur me këtë proces t’i trajtojë me përparësi dhe në procedurë të përshpejtuar, duke respektuar afatet procedurale të zbatueshme. Urgjenca buron nga fakti se Kuvendi dhe Qeveria tashmë po ushtrojnë kompetencat e tyre, ndërkohë që pasojat juridike të shkeljeve gjatë konstituimit mbeten të pasqaruara. Çdo vonesë në shqyrtim e zgjat pasigurinë edhe për vendimet që këto institucione marrin gjatë kësaj periudhe.